Zbulohet një dorëshkrim i ri nga Hafiz Ymer Bakalli

Nëpërmjet një postimi në profilin e tij në fb, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ka lajmëruar ditën e djeshme, më 20.4.2017, se ka zbuluar një dorëshkrim të ri me autor dijetarin e shquar shkodran, Hafiz Ymer Bakalli (1880-1953).

Në vijim, postimi i bërë nga Myftiu me këtë rast:

“Sonte përjetova një emocion të papërshkrueshëm, teksa zbulova një dorëshkrim origjinal, me autor dijetarin e shquar shkodran, Hafiz Ymer Bakalli, rahmet pastë.

Materiali në fjalë, (për të cilin nuk do të flas me hollësi tani), ka një vlerë të madhe në trajtimin e pozitës së sahabëve në Islam dhe distancimin nga etiketimet fanatike dhe injorante në hak të tyre, është shkruar me dorën e Hoxhës së ditur në fletë të bardha, me stilograf me ngjyrë të zezë, është i qepur në mes dhe ka dy kopertina të trasha me zbukurime orientale.

Dorëshkrimi është ndarë në dy tema, të cilat autori i trajton paralelisht, të ndara nga njëra-tjetra, brenda secilës faqe. Pra, kemi të bëjmë me dy trajtesa rreth një teme, në një dorëshkrim të vetëm.

E krahasova shkrimin e tij me disa dorëshkrime të tjera të zotërisë së tij dhe dola në përfundimin e autenticitetit të tij, pavarësisht shënimeve përforcuese, si vijon:

– Në faqen e parë të dorëshkrimit, shënon: “E grumbulluesit të tij, të varfërit, të përulurit, nevojtar për mirësitë e Zotit të tij të Plotfuqishëm, Omeri (Ymer), i biri i Ed’hem (Et’hem) shkodranit, Zoti e faltë”.

– Në përfundim të dorëshkrimit, autori shënon: “All-llahumme na bëj të kapemi pas sheriatit muhammedi dhe prej atyre që pasojnë traditat e të Dërguarit, që të fitojmë nëpërmjet tyre gradët e larta dhe të meritojmë nëpërmjet tyre ndërmjetësimin e tij (shefatin), All-llahu e begatoftë atë, familjen e tij të respektuar dhe shokët e tij të nderuar, të cilët e pasuan atë në çdo gjendje e situatë.

U përfundua shkrimi i tij (i këtij libri –M.S.-) në muajin, në të cilin u lind Zotëria i njerëzisë, Muhammedi (a.s), nga muajt e vitit 1341 nga hixhreti i atij që është rrethuar me nder e krenari.

Ndërsa unë jam i varfëri, i huaji (el-garib), duarboshi (adimel-bidaati), i pamunduri Omeri, i biri i Ed’hem shkodranit, i faltë të dy Mbreti i Plotpushtetshëm…”

Pra, bëhet fjalë për një dorëshkrim 97 vjeçar nga njëri prej hoxhallarëve të shquar të Shkodrës, elhamdulilah!”