Aktivitet sensibilizues: “Të ruajmë ambientin!”

Paraditën e ditës së shtunë, më 16 prill 2016, Myftinia Shkodër nëpërmjet sektorit të arsimit organizoi një aktivitet sensibilizues dhe ndërgjegjësues me moton: “Të ruajmë ambientin”. Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin nxënës të kurseve fetare të xhamive: Kullaj, Fshati i Ri dhe Milan. Të drejtuar nga mësuesit e tyre fetarë, Ardin Selhani, Indrit Plangaj dhe Fitim Karmaj ata gjatë disa orëve arritën me pasion të pastrojnë ambientet e urës së vjetër monumentale të Mesit, mjediset e shkollës publike, etj, duke dhënë shembullin e një qytetari që e do dhe e ruan ambientin dhe ndërkohë tërheqë vëmendjen për të mos e dëmtuar apo shëmtuar këtë dhunti natyrore të dhuruar nga Zoti Fuqiplotë.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm teologët Arben Halluni dhe Lavdrim Hamja. Drejtuesi i Arsimit, pranë Myftinisë Shkodër, z. Halluni gjatë një bisedë me nxënësit theksoj se: “Është detyrë e jona qytetare, por edhe fetare që ta ruajmë mjedisin, sikurse ruajmë shtëpitë tona. Mjedisi është vatra jonë, frymëmarrja jonë e përditshme, e fëmijëve tanë, e familjes dhe e gjithë shoqërisë shqiptare dhe më gjerë. Mjedisi mund të jetojë pa ne, por ne nuk mund të jetojmë pa mjedisin. Paqe me njerëzit, paqe me natyrën…”, -tha ndër të tjera teologu Halluni.

Një projekt i tillë sensibilizues nga ana e Myftinisë Shkodër do të vazhdojë edhe në të ardhmen në zona të tjera të rrethit të Shkodrës.