Hytbeja e xhumasë kushtuar vlerës së zekatit

Sipas porosisë së Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, hytbeja e xhumasë së sotme, më 16 qershor 2017, iu kushtua vlerës dhe rëndësisë që ka dhënia e zekatit dhe pastrimi i pasurisë, sipas porosive hyjnore të shpallura në Kur’an dhe të përkthyera në Traditën e Hz. Muhammedit (a.s).

Më herët, Këshilli i Teologëve pranë KMSh, përcaktoi masën e duhur për zekatin e sivjetshëm, atë të fidjes dhe sadekatul-Fitrit.

Sipas udhëzimit zyrtar, masa e zekatit për këtë vit është 470.000 lekë. Kujtojmë se fidja për personat e sëmurë rëndë dhe të pamundur për të agjëruar është caktuar 200 lekë të reja në ditë, ndërsa masa e sadekatul-Fitrit, 200 lekë të reja për person.

Zekati është një ndër pesë shtyllat e fesë islame. Ai ka një vlerë të madhe në eliminimin e varfërisë dhe përhapjen e shpirtit të solidarizimit me njerëzit në nevojë në shoqëritë njerëzore.

Zekati është pastrim për pasurinë e muslimanit dhe njëkohësisht është një veprim që lidhet me besimin dhe përkushtimin e njeriut ndaj besimit të tij dhe shoqërisë ku jeton.

Myftinia Shkodër fton të gjitha biznesmenët myslimanë të mos e privojnë këtë bekim për pasuritë e tyre, si dhe të ndihmojnë nëpërmjet saj njerëzit e shumtë në nevojë në këto ditë të vështira.

Myftinia Shkodër mirëpret të gjithë ata që kanë paqartësi në lidhje me dhënien e zekatit, ose duan ta dorëzojnë atë pranë Myftinisë Shkodër, çdo ditë nga ora: 9-14.