Ditën e njëzet të agjërimit të Ramazanit, pikërisht ditën e enjte, më 15 qershor 2017 Myftinia Shkodër shtroi iftarin tashmë tradicional me përfaqësues të bashkësive islame të Prizrenit, Ulqinit dhe këshillin e Myftinisë Shkodër.
Në emër të Myftinisë Shkodër, teologu Lavdrim Hamja, i uroi vëllezërve mysafirë nga Prizreni dhe Ulqinin mirëseardhjen dhe njëkohësisht i falënderoi për prezencën e tyre në këtë iftar vëllazërie islame dhe kombëtare. Ai theksoi se, këto sofra të begata iftaresh në këtë muaj të begatë, marrin një dimension tjetër dhe i shërbejnë rritjes së bashkëpunimit e të vëllazërimit mes pjesëtarëve të ymetit islam.
Në emër të Bashkësisë Islame të Prizrenit, kryeimami i saj, Ali ef. Veizaj së bashku me imamët e tjerë të ardhur me këtë rast, sollën selamet dhe përshëndetjet e vëllezërve nga Prizreni. Kryeimami nga Prizreni falënderoi për mikpritjen bujare të Myftinisë Shkodër dhe theksoi se, me të vërtetë simbolika e iftareve është e shtrenjtë në Islam dhe duhet ruajtur e trashëguar tek brezat.
Po ashtu edhe mysafirët e ardhur nga Ulqini, Suad ef. Ukoshata dhe Mirsad ef. Muça, uruan muajin e begatë të Ramazanit dhe njëkohësisht falënderuan Myftininë e Shkodrës për organizimin e këtij iftari, duke u bashkuar si vëllezër të në feje dhe të një kombi.