Shpërndahet përkthimi në shqip i kuptimeve të Kur’anit

Ditën e fundit të Ramazanit për këtë vit, të shtunën, më 24 qershor 2017, Myftinia Shkodër në bashkëpunim me Qendrën Islame Shqiptare "Xhamia Imam El-Buhari", Vjenë, Austri, zhvilloi shpërndarjen falas të Kur'anit Famëlartë, me përkthim të kuptimeve në gjuhën shqipe.

Aktiviteti u zhvillua në lagjen Xhabije, para lulishtes, ku kalimtarë të ndryshëm morën si dhuratë përkthimin e kuptimeve të Kur’anit në gjuhën shqipe, versioni i H. Sherif ef. Ahmetit.

Përfaqësuesi i Myftinisë Shkodër, teologu Lavdrim Hamja, në prononcimin e tij në lidhje me këtë aktivitet tha se: "Shpërndarja e përkthimit të Kur’anit tashmë është bërë një traditë e përvitshme e Myftinisë Shkodër. Ndërsa zhvillimi i këtij aktiviteti në ditën e fundit të Ramazanit është mesazh që i drejtohet të gjithëve, se me të vërtetë Ramazani është muaji i zbritjes së Kur’anit, por ky libër i shenjtë duhet të jetë udhëzues dhe prijës për gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm të lexohet brenda një muaji, siç është muaji i Ramazanit".

Myftinia Shkodër falënderon Shoqatën "Xhamia Imam El-Buhari", në Vjenë për këtë bashkëpunim të frytshëm dhe i uron mbarësi e sukses në punën e tyre në shërbim të njerëzve dhe të fesë.