Festohet me madhështi Fitër Bajrami 1438

Që në orët e para të mëngjesit të së dielës, më 25 qershor 2017, muslimanët shkodranë nisën të mbushin sheshin e vakëfit të Fushë Çelës, bri xhamisë “Ebu Bekër”, ku Myftinia Shkodër e ka bërë traditë të kryejë ritualet e Fitër Bajramit.

Sipas programit të paralajmëruar, besimtarët falën së bashku namazin e sabahut, që u pasua nga një program i larmishëm me këshilla fetare, urime dhe ligjërata nga imamët e nderuar: Lavdrim Hamja, Adil Cukali, Naim Drijaj dhe Idmir Plaku.

Imamët e nderuar dhanë mesazhe të qarta në lidhje me ruajtjen e vlerave të besimit, dijes, përkushtimit dhe lidhjes me fenë në jetën e përditshme. Ata këshilluan vazhdimësinë e shpirtit të Ramazanit edhe pas tij, duke theksuar se feja islame ka ardhur për ta ruajtur rrugëtimin e njeriut në jetë dhe për ta mbrojtur atë nga devijimet e ndryshme, me të cilat përballet.

Një mesazh dha edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili ftoi besimtarët që të ndjehen krenar për këtë besim të pastër islam, që para shumë shekujsh erdhi si dritë dhe bekim për popullin shqiptar.

Nën drejtimin e Myftiut u krye edhe rituali i faljes së namazit të Fitër Bajramit, ndërkohë teologu Durim Kasemi mbajti hytben e rastit, ku u përqendrua tek madhështia e Kur’anit në udhëzimin drejt asaj që është më e mira në jetë.

Pas përfundimit të hytbes, Myftiu dhe imamët e pranishëm pritën besimtarët e shumtë, që uruan Fitër Bajramin.