U zhvillua “Mbledhja e Raporteve të Ramazanit”

Paraditën e së enjtes, më 13 korrik 2017, Myftinia Shkodër zhvilloi “Mbledhjen e Raporteve të Ramazanit”, për vitin 1438 h.

Në fjalën e tij, teologu Lavdrim Hamja, theksoi se formati i këtij takimi të përvitshëm është një risi në raport me analizimin e një Muaji të tërë të mbushur me aktivitete, adhurime dhe lutje kolektive, bamirësi dhe dëshmim i fymës së harmonisë komunitare në Shkodër.

Referuan dhe lexuan analizat dhe relacionet e tyre të përmbledhura, teologët Lavdrim Hamja, Arben Halluni, Idmir Plaku, Naim Drijaj dhe Adem Pizga.

Në relacionet e tyre, imamët e nderuar prezantuan larminë e aktiviteteve, si dhe dhanë sugjerimet dhe idetë e tyre të dobishme në përmirësimin e mëtejshëm të aktivitetit fetar në Ramazan.

Imamët vlerësuan praninë e madhe të rinisë për gjatë krejt Ramazanit, sidomos në faljen namazit të teravisë, si dhe adhurimeve të ndryshme gjatë këtij muaji.

Në fjalën e tij të rastit, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, shprehu mirënjohjen e tij për teologët e Shkodrës, që dëshmuan një angazhim të madh gjatë këtij muaji.

Mytiu tha se, me kontributet e tyre, teologët e Shkodrës janë një shembull pozitiv për çdo myftini, sidomos me shkrimet dhe ligjëratat e tyre, të pasqyruara më së miri edhe në gazetën “Udha Islame”.

Njëkohësisht, lajmëroi krijimin e një komisioni teologjik, nën drejtimin e imamit Idmir Plaku, në përbërje të cilit do jenë edhe teologët: Arben Halluni, Lavdrim Hamja, Durim Kasemi dhe Adem Pizga, që do të mblidhet pesë muaj para Ramazanit të ardhshëm, për të diskutuar larminë e aktiviteteve të Ramazanit 1439.