Myftiu takon imamët e qytetit në prag të Kurban Bajramit

Paraditën e së mërkurës, më 16 gusht 2017, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një takim pune me imamët e qytetit, me të cilët diskutoi aktivitetet e ditëve në vijim në prag të Kurban Bajramit 1438/2017.

Myftiu vlerësoi angazhimin e imamit të xhamisë së Kirasit, teologut Ruzhdi Plangaj, me trajnimin e haxhilerëve të rinj të këtij viti, sikurse lajmëroi se ditën e enjte, më 17 gusht 2017, ora: 20.00, pas namazit të akshamit, në oborrin e xhamisë Parrucë do të shfaqet dokumentari: "Rruga për në Mekë".

Dokumentari në fjalë, prodhim i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, është një përmbledhje mesazhesh dhe kujtimesh, emocionesh dhe nostalgjishë që lidhen me Haxhin e shqiptarëve dhe vlerat e këtij adhurimi të pashembullt.

Njëkohësisht informoi imamët, se ditën e xhuma, më 18 gusht 2017, në orën 12.45, në xhaminë e Parrucës do të nisë ceremonia e leximit të emrave të haxhilerëve shkodranë të këtij viti, shpërndarja e ihrameve, hytbeja e Myftiut dhe mesazhi i rastit, falja e xhumasë dhe përshëndetja me haxhilerët në oborrin e xhamisë Parrucë.

Gjatë këtij takimi u diskutua edhe programi i Kurban Bajramit të sivjetshëm në sheshin e Fushë Çelës, bri xhamisë "Ebu Bekër", detajet e tij, ligjëruesit etj.

Myftiu falënderoi imamët për mendimet e vyera dhe diskutimet e rastit, sikurse u lut për mbarësi dhe suksese të vazhdueshme.