Nisëm vullnetare nga institucionet vendore për pastrimin e varrezave myslimane “Komane”

Nën kujdesin e Myftinisë Shkodër, ndërmarrja e Ujësjellësit Shkodër, me mbështetjen e Bashkisë kanë ndërmarrë të enjten, më 30 gusht 2017 një nisëm vullnetare për pastrimin e varrezave myslimane “Komane”.

Përfaqësuesi i Myftinisë Shkodër, teologu Arben Halluni në një prononcim mediatik, pasi falënderoi institucionet për këtë sensibilizim tha se, edhe më herët Myftinia Shkodër ka realizuar projekte për pastrimin e këtyre varrezave, duke u bërë thirrje familjarëve që kujdesen edhe ata për mirëmbajtjen e këtyre varrezave, të cilat janë trashëgimi e vyer e kulturës së qytetit tonë.

Ndër të tjera, ai tha se ky sensibilizim nëpërmjet Myftinisë Shkodër, Bashkisë dhe ndërmarrjes së Ujësjellësit do të vazhdojë edhe në të ardhmen me hapa të tjera, të cilat kanë të bëjnë jo vetëm për pastrimin e këtyre varreve të vjetra mbi 300 vjeçare, por edhe për sistemimin dhe mirëmbajtjen e tyre.

Myftinia Shkodër falënderon ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Bashkinë e Shkodrës për këtë iniciativë të bukur në sistemimin dhe pastrimin e varrezave “Komane”.