Myftiu: “Ky Islam është fé e mëshirës, jo e terrorit!”

Nga xhamia e fshatit Kullaj, mbrëmjen e së dielës, më 22 tetor 2017, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ka ftuar besimtarët të kapen sa më shumë pas mësimeve dhe udhëzimeve të fesë islame, si ajka e shpalljeve hyjnore dhe vula e krejt dërgesave shekullore.

Në ligjëratën e tij, Myftiu tha se muslimani karakterizohet nga cilësitë më të larta që e bëjnë njeriun të jetojë me dinjitet e krenari, mëshirues e falës, ndërtues i jetës dhe garant i paqes dhe vlerave në të.

"Sa madhështor është ky Islam! Prezantimin e parë me njerëzinë, Zoti ynë e ka bërë në këtë mënyrë: "Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve. Mëshiruesit, Mëshirëbërësit". Të dërguarin e fundit e cilësoi me ajkën e cilësive: "Nuk të kemi dërguar, vetëm se Mëshirë për mbarë botët". Vetë i dërguari (a.s) na udhëzoi: "Mëshironi, të mëshiroheni..!"

Imagjinoni se sa padrejtësi na bëhet ne muslimanëve dhe fesë tonë, kur etiketohemi ne dhe feja e jonë me terrorizmin, ekstremizmin, dhunën, intolerancën?!

Prandaj, armiqtë e Islamit, që janë në vetvete edhe armiq të njerëzimit, nuk do të kenë kurrë sukses në propagandat e tyre mjerane kundër kësaj feje dhe pasuesve të saj, që kanë në thelb mëshirën!

Ky Islam është fé e mëshirës, jo e terrorit!", tha ndër të tjera Myftiu.