Kudsi Sherifë, tema e hytbes së kësaj jave në xhamitë e Shkodrës

Me porosi të Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, tema e hytbes së xhumasë, më 8 dhjetor 2017, në xhamitë e Shkodrës u përqendrua tek vlera dhe shenjtëria e Kudsi Sherifit tek muslimanët.

Janë të qarta ajetet dhe hadithet që mbajnë të lidhur muslimanët e çdo kohe me tre haremet e shenjta: Qaben e Madhnueshme (Mekë, Arabi Saudite), Xhaminë e të Dërguarit të All-llahut (Medine, Arabi Saudite) dhe Aksaja (Kuds, Palestinë).

Në Kur'anin Famëlartë, Aksaja përmendet në suren El-Isra: "Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t'ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Muhammedit), pamësi (i punëve të Muhammedit)”.

Poashtu, janë të shumta argumentet që na lidhin me këtë tokë të shenjtë për çdo musliman, deri në kiamet.

Resulull-llahu (a.s) ka thënë: “Namazi në Mesxhidi Haram ka vlerën e njëqind mijë namazeve, ndërsa namazi në xhaminë time ka vlerën e njëmijë namazeve, ndërsa namazi në Bejti Makdis ka vlerën e pesëqind namazeve”.

Për muslimanët, Kudsi Sherifi është një tokë e shenjtë, që i përket bijve të saj, përtej mashtrimeve dhe padrejtësive politike dhe historike.

Lutjet tona janë që muslimanët e krejt botës të bashkohen dhe gjurmët e përçarjes dhe sektarizmit që e kanë kthyer ymetin islam në një term pa dinjitet e prezencë, të fshihen sa më parë!