Myftiu priti Prefektin e ri të Qarkut Shkodër

Paraditën e së enjtes, më 21 dhjetor 2017, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim të përzemërt prefektin e ri të Qarkut Shkodër, z. Çesk Millja.

Prefekti i ri i Shkodrës, shprehu kënaqësinë e tij për këtë vizitë të parë në Myftininë e Shkodrës, duke theksuar rolin e madh që ka institucioni i muslimanëve të Shkodrës në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të paqes dhe harmonisë komunitare.

Nga ana e tij, Myftiu e falënderoi z. Millja për vizitën dhe duke i uruar atij mbarësi dhe sukses në detyrën e re, konfirmoi edhe një herë se sa e rëndësishme është pjekuria e prijësve fetarë, sidomos në ruajtjen e kufijve të shenjtërive dhe promovimin e vlerave më të mira të qytetërimit hyjnor, që i dhuron njeriut aftësitë e duhura për të qenë “mëkëmbës i Zotit” në tokë.

Myftiu theksoi, se tashmë që bota përjeton momente të çuditshme plot hipokrizi, shkelje të drejtave, luftra të padrejta dhe kriza që pasojnë kriza, bashkëpunimi për të ndertuar urat e të mirës dhe harmonisë mbetet prioritet i njerëzve vullnetmirë.