Këshilli i Myftinisë diskutoi mbi aktivitetin dhe sfidat e vitit

Pasditën e së xhumasë, më 12 janar 2018, Këshilli i Myftinisë Shkodër zhvilloi mbledhjen e radhës, ku në rend të ditës ishin raportet vjetore, aktivitetet dhe sfidat e vitit në vijim.

Në raportin e tij, kryeredaktori i gazetës “Udha Islame”, z. Lavdrim Hamja, vuri theksin te domosdoshmëria e vazhdimësisë së kësaj fryme që e karakterizon boshtin e gazetës, duke u ndalur në disa detaje dhe stacione të rëndësishme të saj.

Këshilltarët dhe Myftiu bënë ndërhyrjet e tyre në këtë pikë, duke vlerësuar rolin e kësaj gazete të përmuajshme si përçuese e mesazheve të urta të mesatarizmit, harmonisë islame, dijes dhe frikës së All-llahut, si dhe rolin që ajo ka në arkivimin e aktivitetit islam në Shkodër dhe përtej.

Ndërkohë, përgjegjësi i sektorit të arsimit dhe medias, z. Arben Halluni, bëri një pasqyrim të detajuar të punës së bërë në drejtim të edukimit të brezit të ri në krejt xhamitë e Shkodrës dhe përtej tyre.

U diskutua edhe marrëdhënia me Medresenë dhe roli që duhet të ketë ky sektor në këtë drejtim, bazuar në statutin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Gjatë mbledhjes u diskutuan edhe disa çështje që lidhen me raportet ndërfetare, sfidat e reja të Myftinisë Shkodër, aktivitetet në vijimësi, përgatitjet për Muajin Ramazan etj.