Kryetari i KMSh inspektoi vakëfet në Zdralej

Ditën e enjte, më 25 janar 2018, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Skënder Bruçaj i shoqëruar edhe nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një inspektim të vakëfeve në zonën Zdralej.

Gjatë vizitës në terren, Myftiu i Shkodrës e informoi Kryetarin e KMSh-së për përpjekjet e Myftinisë Shkodër në drejtim të kthimit në identitet të krejt vakëfeve, në veçanti ato në zonën e Zdralejve.

Myftiu theksoi se përtej kthimit në identitet të këtij vakëfi të madh, nënshkrimin e marrëveshjes së zhvillimit të tij dhe marrjen e lejes së ndërtimit nga autoritetet qeveritare, akoma sot, burokracitë provinciale po pengojnë zhvillimin e këtij vakëfi, duke shkaktuar një dëm të madh ekonomik për Myftininë e Shkodrës dhe Komunitetin Mysliman të Shqipërisë.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Skënder Bruçaj dha disa udhëzime për rastin e këtij vakëfi dhe problematikës së vakëfeve në përgjithësi, duke vënë theksin tek rëndësia e madhe që ka çështja e vakëfeve dhe mostërheqja nga rrugët legjitime të kërkimit të tyre.