Droga, fajdet dhe lojrat e fatit

Në prag të Natës së Madhe të Israsë dhe Miraxhit, momentit më kulminant të historisë së njerëzimit, kur në Kudsi Sherifë, Hz. Muhammedi (a.s) u takua me vëllezërit e tij, të Dërguarit e Zotit, ky takim i organizuar si bashkëpunim në mesin e tre komuniteteve fetare të Shkodrës, merr një kuptim shumë të madh dhe përcjell mesazhe jetike për të sotmen e vendit!

Në Kur’anin Famëlartë, janë të shumta ajetet udhërrëfyese, që e edukojnë besimtarin për të jetuar një jetë të mbarë, mbështetur mbi pragun e bekimit hyjnor, larg cytjeve të shejtanit dhe kurtheve të tij, nëpërmjet të cilave, ai përpiqet t’ia zbukurojë njeriut atë që Zoti ka ndaluar, për të mirën e jetës së tij dhe të ardhmen e brezave.

Realitetet e sotme shqiptare, po bëhen përherë e më imponuese drejt bashkëpunimit të njerëzve vullnetmirë, besimtarëve dhe institucioneve të tyre, në shërbim të së mirës, pastërtisë dhe lartësimit të racës njerëzore, nëpërmjet ofrimit të mesazheve të pastra dhe të qarta hyjnore, në të cilat njerëzia gjen shpëtim të garantuar!

Në Kur’anin Famëlartë, në suren e “Sofrës” së Hz. Isait (a.s), udhëzohemi sa vijon: “O ju që besuat, s'ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të fëlliqta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar!”[1]

Nëpërmjet këtij ajeti dhe në vijim të kësaj sureje, jemi udhëzuar drejt ruajtjes së mendjes, që në Islam është një ndër pesë bazat, për ruajtjen e së cilave ka ardhur legjislacioni islam!

“Po të ndjekim ecurinë e jetës së kafshëve, do të shohim se janë instinktet, që ka vendosur Zoti në këto krijesa, ato që i drejtojnë dhe i udhëheqin ato në mënyrë të rregullt! Instinktet që drejtojnë kafshën, janë krijuar për ta drejtuar atë drejt kufijve të shpëtimit..., ndërsa njeriu udhëhiqet nga mendja, ndërsa instinktet e tij janë të hapura, mund t’i praktikojë me logjikë a pa të, brenda disa kufijve ku duhet ndalur, a përtej tyre”.[2]

Në Islam, “mendja është fokusi i obligueshmërisë fetare, mendja është ajo që komandon sjelljet e njeriut, mendja është ajo që i garanton paqen. Por, nëse njeriu konsumon alkoolin, ai e humb dhe e dëmton mendjen, me të cilën garanton shpëtimin dhe lumturinë e tij…”.[3]

Prej këtu, ai është konsideruar tek ne, si nëna e krejt të zezave!

Realitetet e sotme shqiptare, po na dëshmojnë përherë e më shumë madhështinë e ajeteve, që na udhëzojnë drejt distancimit nga alkooli, bixhozi, lojrat e fatit, por jo vetëm. Përhapja në masë e drogërave, si dhe mbjellja, kultivimi dhe rritja përherë e më shumë e bimëve narkotike, janë alarme të mjaftueshme, që duhet të na angazhojnë për të kontribuar përherë e më shumë për të mirën e atdheut dhe kombit tonë.

Përhapja e kazinove, shtimi i fajdeve dhe bixhozit, korrupsioni në masë të frikshme, por jo vetëm, po shkatërrojnë familje të tëra shqiptare, që e kanë humbur udhëzimin, duke rënë në kurthet e shejtanit.

Të gjithë, duhet të ndërgjegjësohen se, jeta e ndërtuar mbi instinktet kafshërore, si dhe devijimi i mendjes, janë shkatërrimtare për jetën e racës njerëzore.

Shembujt rreth kësaj, që vijnë nga perëndimi, por jo vetëm, janë të mjaftueshme! Shtimi i rasteve të vetëvrasjes për shkak të falimentimit si pasojë e bixhozit dhe lojrave të fatit, i vrasjeve si pasojë e borxheve me fajde a shkatërrimit të familjeve për shkak të alkoolizimit dhe përhapjes së imoralitetit; këto janë alarme për të cilat duhet të shqetësohen edhe institucione të ndryshme shtetërore, që kanë për detyrë morale dhe qytetare mbrojtjen e tabanit kombëtar nga degjenerimi, korrupsioni, shthurja dhe imoraliteti!

Në Islam, kumari dhe lojrat e fatit janë haram, sepse “zhdukin punën, pengojnë shpikjet, konkurencën e ndershme, sikurse shkatërrojnë tek njeriu durimin e tij, zgjuarsinë, eksperiencat, përsosmërinë, bamirësinë etj.”.[4]

Poashtu fajdet, sepse nëpërmjet tyre, “pasuria lind pasuri” të pameritueshme, poashtu lojrat e fatit, sepse nëpërmjet tyre, “fati lind pasuri”, duke e kthyer njeriun në një krijesë të komanduar dhe pa vetëdije! Në Islam, njeriu është urdhëruar të punojë, duke konfirmuar nëpërmjet saj aftësitë e tij, konkurencën e ndershme, shërbimet ndaj kombit dhe ndërtimin e vendit…”.[5]

Lutem me zemër që takime të tilla të kenë dobi dhe mesazht që dalin prej tyre të mbërrijnë tek rinia e jonë, tek familja shqiptare dhe tek klasa e të sprovuarve me drejtimin e vendit, të cilët kanë më shumë se kurrë sot, nevojë për të ruajtur ekuilibrat dhe për të parë drejt së ardhmes së ndritur, jo bunkereve të errëta të injorancës dhe shpërbërjes morale dhe kombëtare, drejt së cilave tërhiqen në emër të modernitetit dhe antivlerave!

Imam Muhamed B. Sytari

Myfti i Zonës Shkodër

(Mesazh në takimin e tre komuniteteve fetare, me temë:

Droga, fajdet dhe lojrat e fatit – sfisa që nxisin besimet”, Shkodër, më 11 prill 2018)


[1] Kur’ani, El-Maide: 90.

[2] Dr. Muhammed Ratib En-Nabulsi, Tefsirun-Nabulsi, vëll. i parë, Amman, 2016, vëll. i 3-të, f. 143.

[3] Po aty, vëll. i 3-të, f. 143.

[4] Po aty, vëll. i 3-të, f. 144.

[5] Po aty, vëll. i 3-të, f. 144.