Ditën e mërkurë, më 11 prill 2018, pas namazit të iqindisë, në ambientet e xhamisë “Ebu Bekër”, u zhvillua ceremonia e xhenazes për shpirtin e rahmetliut, z. Islam Dizdari, studiues dhe veprimtar i shquar i rimëkëmbjes së trashëgimisë së kulturës islame në Shkodër, pa vitit 1990.
Në fjalën e rastit, para faljes së namazit të xhenazes së tij, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, pasi shprehu ngushëllime e tij dhe të Myftinisë Shkodër për familjarët e rahmetliut, theksoi se, kontributet e z. Islam Dizdari për Myftininë e Shkodrës dhe përtej saj, në fushën e studimit dhe evidentimit të elitës se hoxhallarëve dhe gjurmëve të tyre, janë të panumërta.
“I jemi borxhli prof. Islam Dizdarit, i cili në bashkëpunim me prof. Faik Lulin, Nexhmi Bushatin etj., i bëri një shërbim të jashtëzakonshëm historisë së trashëgimisë islame të Shkodrës dhe përtej. Punën e zotërisë së tij, jemi të paaftë ta bëjmë të gjithë së bashku, sot!
Nga njohja personale, gjykoj se, ai ishte një studiues serioz dhe i skrupullt, që dha një kontribut shumë të madh, për ne dhe të ardhmen e këtij qyteti, përsa i përket njohjes së të shkuarës dhe personazheve të saj të shquar, prej dijetarëve tanë.
Emrat e nderuar të hoxhallarëve elitarë dhe gjurmët e tyre, janë tashmë para syve tanë, falë punës së palodhur të z. Islam Dizdarit!”-, tha ndër të tjera Myftiu në fjalën e tij.
Më pas, ai drejtoi faljen e namazit të xhenazes me xhemat, për shpirt të tij.