“Rinia, besimi dhe sfidat e femohimit”, aktivitet me rastin e Israsë dhe Miraxhit

Pasditën e së enjtes, më 12 prill 2018, sektori i rinisë pranë Myftinisë Shkodër, organizoi tribunën fetare me temë: “Rinia, besimi dhe sfidat e femohimit”.

Të ftuar të këtij tubimi ishin teologët e mirënjohur, z. Sabaudin Jashari dhe z. Ervin Qylafku, të cilët hodhën dritë mbi disa prej mesazheve të ndodhisë së Israsë dhe Miraxhit, që rrezatojnë forcën e besimit në All-llah, krenarinë dhe dinjitetin me të cilët pasurohet muslimani në jetë.

Ligjëruesit e nderuar shpjeguan se, përtej sfidave të femohimit, afetarizmit, ateizmit dhe krizave të moralit, me të cilat përballet shoqëria njerëzore në përgjithësi dhe ajo shqiptare në veçanti, njeriu besimtar në All-llahun e Madhëruar dhe në mesazhet e të Dërguarit të Tij, mbetet përherë një individ i shëndoshë, me imunitet të lartë përballë sfidave.

Njëkohësisht u shpjegua madhështia dhe roli i madh që ka namazi në jetën e muslimanit, si një garanci e përhershme që siguron marrëdhënien e pathyeshme të besimtarit me Zotin e vet.

Më herët, aktivitetin e përshëndeti Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili vlerësoi se aktivitete të tilla e pasurojnë jetën e xhamisë dhe afrojnë besimtarët me mesazhet e fesë së tyre.

Ndërkohë, përgjegjësi i sektorit të rinisë në Myftininë Shkodër, teologu Ervil Kuçi, theksoi se muslimanët janë të ftuar ta nxjerrin mesazhin e fesë jashtë xhamisë, për t’u dëshmuar drita e saj dhe mrekullia e fjalës së All-llahut.

Aktiviteti u zhvillua në xhaminë e fshatit Mes-Myselim, ku të shumtë ishin pjesëmarrësit e pranishëm.