U zhvillua Konkursi i 8-të me nxënësit e mejtepeve të xhamive të Shkodrës

Ditën e shtunë paradite, më 29 prill 2018, në ambientet e kompleksit “Zmijani”, Myftinia Shkodër organizoi aktivitetin e madh të Konkursit të 8-të vjetor me nxënësit e mejtepeve të kurseve fetare, që zhvillohen në xhamitë e Shkodrës.

Aktiviteti që mblodhi mbi 600 nxënës nga 34 xhami filloi me hapjen e drejtuesit të arsimit, teologut Arben Halluni, i cili pasi iu uroj mirëseardhjen nxënësve frekuentues sistematikë në mejtepet e xhamive u foli për rëndësinë që ka kjo ditë, e cila frymëzon për besim, adhurim, edukatë, kulturë, respekt, atdhedashuri, traditë,  vëllazëri dhe harmoni me të gjithë.

Aktiviteti  i konkursit të madh fetar u shoqërua me lojëra sportive dhe zbavitëse në ambientet e kompleksit.

Në fund u zhvillua ceremonia e shpalljes së fituesve, ku juria e përbërë nga teologët Lavdrim Hamja, Naim Drijaj dhe Adem Pizga vendosën në bazë të pikëve maksimale për çmimin e parë: Ersad Bregu, xhamia Barbullush, çmimi i dytë: Sulejman Milani, xhamia e Milan dhe çmimi i tretë: Matteo Çeliku, xhamia Golem.

Ndërsa çmimi për zërin e bukur në leximin e Kur’anit e mori nxënësi Muhamed Muça, xhamia Shtoj i Vjetër.

Gjithashtu u dhanë edhe 6 çmime (fletë lavdërimi) për  nxënësit që kanë spikatur gjatë konkursit fetar dhe gjithashtu të dalluar në procesin mësimor të kursit fetar si: Vedat Kastrati, xhamia Bahçallek, Senad Seferaj, xhamia Melgushë, Nevil Pepaj, xhamia Guci e Re, Emina Keçi, xhamia Luarëz, Mersila Zalli, xhamia Trush dhe Selma Fangaj, xhamia Bardhaj.