Nisi cikli i ligjëratave fetare në prag të Ramazanit 1439

Pasditën e së hënës, më 7 maj 2018, nga xhamia “Ebu Bekër” nisi cikli i ligjëratave dhe këshillave fetare në prag të Muajit Ramazan 1439.

Në këtë aktivitet me vlerë u dhanë këshilla mbi vlerën e Ramazanit dhe rëndësinë e leximit, kuptimit dhe praktikimit të Kur’anit në jetë.

Aktiviteti filloi me fjalën e rastit nga teologu Arben Halluni, i cili theksoi se Muaji i Ramazanit është një periudhë e begatë e vitit, e shumëpritur nga muslimanët e mbarë botës.

Ndërkohë, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari dha mesazhin e tij duke tërhequr vëmendjen drejt shfrytëzimit të këtij muaji për të rregulluar marrëdhënien me Kur’anin Famëlartë dhe udhëzimet e tij dritësuese.

Imam i xhamisë së “Dy Vajzave”, teologu Lavdrim Hamja u ndal te rëndësia dhe vlera e Kur’anit në jetën e besimtarëve dhe nxitja që i bën i Dërguari i All-llahut angazhimit për mësimin dhe praktikimin e tij në jetë.

Imami i xhamisë “Ebu Bekër”, teologu Gilmani Kazazi hodhi dritë mbi detaje të dobishme që lidhen me Ramazanin si muaj i moralit dhe përsosmërisë së tij në shoqëritë njerëzore.

Në përfundim të kësaj mbrëmjeje të paqtë, u shpërnda edhe kalendari i Muajit të agjërimit.