Myftiu: “Agjërimi është shpresë për shoqërinë!”

Në një bashkëbisedim të zhvilluar mbrëmjen e së martës, më 22 maj 2018, në Star Plus Tv, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari foli për vlerat e Muajit Ramazan, si periudhë e ngjeshur adhurimesh dhe thirrjeje për ta dëshmuar shpirtin e besimit në jetë.

Myftiu iu përgjigj pyetjeve të gazetarit Erzen Koperaj, duke nxjerrë në pah mirësitë e shumta që ka agjërimi në vetvete, si adhurim, si dhe dobitë që i vijnë shoqërisë, pjestarët e së cilës angazhohen me vlerësimin e respektimin e Muajit Ramazan.

"Një shoqëri e agjërimit nuk është shoqëri droge, alkooli, krimi e korrupsioni, prandaj qeveritë dhe institucionet duhet të ndajnë buxhete të caktuara për ta gjallëruar atmosferën e Ramazanit dhe për ta përhapur sa më shumë frymën e tij të paqtë, aq më shumë në një vend me shumicë muslimane si Shqipëria!", tha Myftiu.

Gjithashtu, ai tha se po të kemi një sondazh të saktë të përqindjes së agjëruesve në rang kombëtar, sa më e madhe të jetë kjo përqindje, aq më shpresë e bekime ka pë shoqërinë. Dhe vijoi: "Agjërimi e bën individin të fortë, mbartës të përgjegjësive, ndërtues të jetës, përballues të sfidave me një shpirt të pathyeshëm besimi! Agjërimi është shpresë për shoqërinë, për kombin, për të sotmen dhe të ardhmen e njerëzimit!".

Myftiu ftoi besimtarët që ta ndajnë atmosferën e begatë të Ramazanit me krejt shoqërinë, sepse sikurse tha: "Ramazani është Muaji i Kur'anit, që thërret: "O ju njerëz!", prandaj mos ta mbyllim atmosferën e tij vetëm për vete; të ftojmë të afërm e komshi, bashkëqytetarë e familjarë në sofrat e iftarit, jo për të ngrënë e për t'u mburrur me menutë e tij, por për të hapur zemrat e për të shpërndarë mirësi e paqe, nga shpirti i këtij besimi e kësaj feje që është shpallur si mëshirë e paqe për gjithësinë!".