Myftiu: “Salavati, hallka që na mban të lidhur me dashninë e Hz. Muhammedit (a.s.)!”

Mbrëmjen e së enjtes, më 24 maj 2018, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari e fali teravinë e kësaj nate me besimtarët e xhamisë së Medresesë dhe me nxënësit e kursit të Kur'anit.

Gjatë një këshille fetare të mbajtur para namazit të jacisë, Myftiu foli për vlerën që ka respektimi i natës së xhuma, si moment për të shtuar salavatin për të Dërguarin e All-llahut.

Myftiu tha se salavati është hallka që na mban të lidhur me dashninë e Hz. Muhammedit (a.s.) dhe njëkohësisht pragu që na bën të meditojmë e të kuptojmë madhështinë e qenies pjesë e ymetit të tij (a.s.).

"Sonte është natë e xhuma, natë salavati. Pse ka rëndësi ta shtojmë salavatin? Ka vlerë të madhe për të kontrolluar zemrën se në çfarë marrëdhënieje është me dashninë e Hz. Muhammedit (a.s.), i cili na deshti para se të vinim në këtë botë, si dhe për ta falënderuar All-llahun e Madhëruar që na bëri pjesë të ymetit të tij (a.s.). Është si të thuash, hallka që na mban të lidhur me shpirtin e madh të besimit dhe shpresa e afrimit të përhershëm me zotërinë e bijve të Ademit, për dashninë e të cilit jemi urdhëruar në Kur'an!", tha ndër të tjera Myftiu.