U promovua libri “E vërteta e hidhur -2-” nga Shejkh El- Gazali

Ditën e martë, më 5 qershor 2018, Myftinia Shkodër organizoi promovimin e botimit më të ri me titull: “E vërteta e hidhur -2-“, nga dijetari i shquar, Shejkh Muhammed El- Gazali, përkthyer në shqip nga teologu Lavdrim Hamja.

Aktivitetin e hapi teologu Arben Halluni, i cili pasi uroi të pranishmit për prezencën e tyre, bëri një rezyme të shkurtër për librin në fjalë dhe për kontributin e dijetarëve të Ezheri Sherif, ndër të cilët është edhe Shejkh Muhamed El-Gazali.

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe kryetari Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Skënder Bruçaj, i cili uroi besimtarët e pranishëm për muajin e begatë të Ramazanit dhe shprehu kënaqësinë e tij për këtë takim të përzemërt me besimtarët e njëkohësisht kënaqësinë e promovimit të një libri.

Më pas e mori fjalën Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, i cili pasi falënderoi përkthyesin Lavdrim Hamja, ndër të tjera tha: “Librin e ri e kam shfletuar kohë më parë, kur po përgatitej për botim. Jemi ulur e kemi diskutuar gjatë për 38 temat e tij, të përzgjedhura nga përkthyesi. Janë tematika të jetës së përditshme, që ngacmojnë ymetin dhe botën mbarë. Tematika që lidhen me ngritjen e nivelit të hytbeve në xhamitë tona, dilemat e nxitura nga orientalistë rreth ajeteve të Kur’anit dhe Hadithit, humanizmit, edukimit të fëmijëve, mexhliset e dhikrit, kriza e shpirtmadhësisë, etj.

Është frymëzim i madh të lexosh Shejkh Gazaliun, kur thotë: “Nuk konsiderohet kthim në Islam të shkruajmë mbi flamuj: “All-llahu ekber”, por kthim në Islam quhet të mbushim zemrat me “All-llahu ekber” dhe ta bëjmë Atë (All-llahu ekber) motiv të punëve dhe qëllim të jetës sonë!”.

Pastaj, foli edhe përkthyesi i librit, teologu Lavdrim Hamja, ku pasi dha një jetëshkrim të shkurtër rreth autorit, ndër të tjera tha: “Të përkthesh kolosë të mëdhenj dhe veçanërisht të fushës teologjike, si p.sh shejkh Muhamed El-Gazali nuk është punë e lehtë. Ai kur shkruante ishte letrar i përsosur, Zoti (xh.sh) i kishte dhuruar retorikë dhe qartësi, e cila bënte për vete zemrat e lexuesve, saqë ashtu siç e kanë thënë edhe njerëz të tjerë, sikur shejkh Gazali do t’i ishte kushtuar fushës së letërsisë, ai do të kishte arritur majat e saj”.

Gjithashtu përkthyesi Hamja tha se: “Libri “E Vërteta e Hidhur -2-” i shejkh M.El-Gazalit është vazhdimësi e kolanës së tij me të njëjtin titull, ku në pranverën e vitit 2014, me mbarësinë e Zotit, botova vëllimin e parë. Libri përmban artikuj të dobishëm, që autori i ka shkruar gjatë një periudhe kohore jo shumë të shkurtër. Përmes këtyre shkrimeve Shejkh Gazali i bën një mbrojtje Islamit nga dy grupe njerëzish të ndryshëm, njëri grup janë myslimanët me dije të cekët, të cilët e njollosin Islamin me diçka që ai nuk e ka, ndërsa grupi tjetër janë armiq të Islamit, që përpiqen ta akuzojnë fenë me gjëra, që edhe këto nuk i përkasin dhe as nuk kanë lidhje me Islamin”.

Me rastin e këtij promovimi, Myftinia Shkodër shtroi edhe një iftar për të pranishmit.