Myftiu: “Nata e Kadrit, kthesë për të jetuar çdo ditë me Zotin!”

Nga xhamia e Trushit, ku ishte për të falur teravinë e së shtunës, më 9 qershor 2018, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, këshilloi besimtarët që ta shfrytëzojnë kohën e mbetur të këtij Muaji të begatë për të shtuar adhurimet dhe lutjet, në prag të Natës së Kadrit.

Ai theksoi se Nata e Kadrit është një bekim i madh nga All-llahu i Madhëruar, si dhe një moment kthese për çdo musliman, për të jetuar çdo ditë me Zotin.

“Muaji i Ramazanit është një dhunti hyjnore për ymetin e Hz. Muhammedit (a.s.), si për të na kujtuar se All-llahu na do çdo ditë si në Ramazan. Nata e Kadrit në vetvete është një moment kthese, si për të na thënë Zoti nëpërmjet saj se, çdo ditë e jetuar me besim dhe shpresë, me shpirtin e bamirësisë dhe përkushtimin ndaj adhurimit, është ditë dhe natë e shtrenjtë, që peshon rëndë në peshoren e veprave të mira në jetën e përtejme!”, tha ndër të tjera.

Myftiu i kujtoi xhematit të pranishëm se, të gjithë agjëruesit do të shpërblehen në mënyrë të veçantë në jetën e përtejme, duke u nderuar me xhennetin, përtej derës mbi të culën shkruhet: “Rejjan”; vendi ku do të shpërblehen për privimin nga uria dhe etja, epshet dhe dëshirat personale, për shkak të agjërimit.