Myftiu: “Sihariqi më i madh për agjëruesit është xhenneti në të përtejmen!”

Mbrëmjen e së martës, më 12 qershor 2018, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari e fali namazin e teravisë me besimtarët e xhamisë në Krye-Bushat.

Me këtë rast, Myftiu mbajti edhe një këshillë fetare, ku theksoi se, sihariqi më i madh në jetën e muslimanit është garancia e jetës së përtejme! Ai iu referua haditheve që nxisin rirtëritjen e besimit me shprehjen: “La ilahe il-lall-llah”, ku theksoi se kjo dëshmi, kur del nga zemra dhe me të vërtetat që bart, e ndriçon të zotin në këtë botë dhe në jetën e përtejme.

Myftiu uroi gjithashtu besimtarët e pranishëm për agjërimin dhe bamirësitë e Ramazanit dhe tha se sihariqi më i madh për agjëruesit është fitimi i pëlqimit të All-llahut dhe xhenneti i garantuar!

Me rastin e kësaj vizite në xhaminë e re dhe të bukur të Krye-Bushatit, Myftiu dhuroi edhe një sasi nga libri i tij i ri: “300 HADITHE”.