U zhvillua ceremonia e shpërndarjes së ihrameve

Ditën e xhuma, më 3 gusht 2018, në përfundim të trajnimit pesëditor që Myftinia Shkodër zhvilloi me haxhilerët shkodranë të këtij viti, u zhvillua edhe ceremonia e shpërndarjes së ihrameve dhe pasaportave me vizat e haxhit për grupin e besimtarëve shkodranë, që këtë vit do të udhëtojnë drejt vendeve të shenjta për kryerjen e Haxhit.

Më herët, imami i xhamisë së Dërgutit, teologu Ervil Kuçi, theksoi se Haxhi është një prej pesë shtyllave të Islamit, ndërsa udhëtimi drejt vendeve të shenjta për kryerjen e këtij adhurimi është një bekim i madh, që nuk mund të perceptohet pa e shijuar dhe ndjerë gjatë ditëve të Haxhit në vendet e shenjta.

Aktivitetin e përshëndetën edhe Imam Muhamed B. Sytari, Myfti i Zonës Shkodër, H. Edmir Smajlaj, Myfti i Malësisë së Madhe, si dhe studiuesi islam nga Jordania, Dr. Xhemal Saferti.

Në mesazhet e tyre, ligjëruesit vlerësuan numrin e madh të haxhilerëve të sivjetshëm nga Shkodra dhe Malësia e Madhe, si dhe përgjegjësinë e madhe që ka besimtari që i përgjigjet thirrjes së All-llahut të Madhëruar për kryerjen e Haxhit.

Më pas u zhvillua ceremonia e shpërndarjes së ihrameve, pasaportave me vizën e Haxhit, si dhe broshurat e përgatitura nga Zyra e Haxhit pranë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për krejt haxhilerët.

Në një atmosferë plot emocion dhe lutje, të pranishmit uruan njëri-tjetrin dhe tashmë përgatiten për udhëtimin e shumëpritur, pas disa ditësh.