Pasdrekën e së hënës, më 30 korrik 2018, në xhaminë e Parrucës nisi trajnimi pesëditor i haxhilerëve shkodranë të këtij viti, si pjesë e aktiviteteve të përvitshme që Myftinia Shkodër organizon në shërbim dhe ndihmë të udhëtarëve drejt vendeve të shenjta për kryerjen e Haxhit.
Fillimisht, haxhilerët i përshëndeti Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili uroi dhe u lut që Haxhi i sivjetshëm të jetë sa më i mbarë dhe i pranuar për të gjithë.
Njëkohësisht, lajmëroi se numri i të regjistruarve shkodranë për kryerjen e Haxhit të sivjetshëm është një numër më i madh se ai i vitit që shkoi, duke theksuar se ky fakt përbën një argument me vlerë për rritjen e vetëdijes islame dhe përkushtimit të besimtarëve muslimanë të këtij qyteti për fenë e tyre.
Myftiu lajmëroi për programin e trajnimit dhe uroi që haxhilerët e rinj të përfitojnë nga këto udhëzime, në mënyrë që të përjetojnë një përvojë të mrekullueshme besimi gjatë ditëve të qëndrimit në Mekë dhe Medine.
Ligjërata e ditës së parë u mbajt nga teologu Ruzhdi Plangaj, imam i xhamisë Kiras. Gjatë udhëzimeve të tij, ai u ndal tek shpjegimi i vlerës së Haxhit dhe madhështinë që i ka dhënë All-llahu i Madhëruar këtij adhurimi që mbledh dhe bashkon mbarë botën islame.
Ai shpjegoi domethënien e termit ‘Harem’, kufijtë e tij, ritet e Umres, ndalesat e ihramit, lejueshmëritë e tij, llojet e Haxhit, domethënien e ‘Haxhit temetuë’, etj.
Të pranishmit drejtuan pyetje të ndryshme, që kanë të bëjnë me rregullat e Umres dhe shfrytëzimit të këtij udhëtimi të begatë.
Me mbarësinë e All-llahut, trajnimi vijon ditën e martë, më 31 korrik 2018, pas namazit të mesditës në xhaminë e Parrucës.