Dr. Zekerija Bajrami ligjëroi në tribunën kushtuar haxhilerëve shkodranë

Ditën e shtunë, më 4 gusht 2018, Myftinia Shkodër organizoi një tribunë fetare për nder të haxhilerëve shkodranë të këtij viti.

I ftuar nderi në këtë aktivitet ishte thirrësi islam i afirmuar, Hoxha i nderuar nga Shkupi, Dr. Zekerija Bajrami.

Aktivitetin e përshëndeti Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili falënderoi Hoxhën e nderuar për praninë e tij në Shkodër, “Shkodrën e minareve të bardha, që nuk e prek bardhësinë e tyre, as mesazhin e shenjtë që ato përcjellin, as lajthitja a pakujdesija e dikujt këtu apo atje…”.

Myftiu uroi që haxhilerët e këtij viti të kenë bekim e mbarësi dhe të luten që All-llahu ta ruajë e ta bekojë këtë vend, duke u lutur për mirëqenien dhe ruajtjen e rinisë shqiptare nga haramet dhe shthurrja.

Aktivitetin e përshëndeti edhe Myftiu i Malësisë së Madhe, H. Edmir Smajlaj, i cili falënderoi Myftininë e Shkodrës për këtë organizim, sikurse uroi haxhilerët dhe i dëshiroi atyre mbarësi dhe adhurime të pranuara.

Ai tha se haxhilerët janë mysafirët e All-llahut dhe se, atyre u kërkohet që drejt vendeve të shenjta të shoqërohen dhe të pajisen me përkushtimin dhe përuljen plot dashuri për Zotin e gjithësisë.

Ndërkohë, Dr. Zekerija Bajrami, gjatë fjalës së tij, u përqendrua tek madhështia e Haxhit dhe vlerat e mëdha që ai ka, sidomos në afrimin e besimtarit me Zotin e gjithësisë dhe përfitimit të mëshirës dhe faljes së Tij.

Ndër të tjera theksoi: “All-llahu dhul-xhelal, haxhilerët i llogarit “dujufurr-Rrahman”, mysafirë të All-llahut! O Zot! Të jesh mysafir i ministrit, mysafir i kryeministriut, mysafir i mbretit… po mysafir i All-llahut? Subhanallah! Ky është nder i madh!”

Ai nxiti besimtarët që ta shfrytëzojnë Haxhin si një mundësi e madhe për t’u afruar me frymën e dhikrit, adhurimit dhe dashnisë për All-llahun e Madhëruar.

Nëpërmjet shembujve të jetuar, ndodhive historike dhe argumenteve fetare, Hoxha i nderuar dha mesazhe të qarta dhe gjallëruese për zemrën dhe besimin.