Myftiu: “Jemi ftuar të jetojmë si eulija të All-llahut!”

Ditën e xhuma, më 26 tetor 2018, nga minberi i xhamisë së fshatit Shirq, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, u përqendrua tek mesazhi i afrimit me thirrjet e besimit dhe distancimi nga shthurrja në besim e moral.

Myftiu theksoi se, përtej thirrjeve të disave me pushtet të përkohshëm, që ju thonë se shqiptarët e kanë në gen laicizmin, të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se njeriu, si krijesë e Zotit Një, ka në gen besimin dhe lehtësimin e udhëzimit drejt dritës së Atij, që e ka krijuar!

Afetarizmi dhe shpallja e luftës ndaj Zotit, i dha pasojat e veta ndër shqiptarë, rezultatet dëshpëruese dhe shkatërruese të së cilës i përjetojmë edhe sot në shumë drejtime të jetës në vendin tonë! – tha ndër të tjera.

Myftiu foli edhe për rrugët e larsimit të njeriut besimtar drejt fitimit të dashurisë dhe mëshirës së All-llahut, nëpërmjet korrektësisë me atë që ka shpallur dhe legjitimuar Vetë Zoti i gjithësisë në Kur’an, si dhe nëpërmjet respektimit dhe pasimit të shembullit të përkryer të Hz. Muhammedit (a.s.).

“Jemi ftuar të jetojmë si eulija të All-llahut, pasues dhe përhapës të Dritës së Tij, në harmoni me Zotin, njeriun, familjen, punën, dijen, komshiun, tjetrin, kushdo qoftë ai! Jemi ftuar të jetojmë në vëllazërinë e madhe të qenies tonë Njerëz!”, udhëzoi Myftiu në hytben e tij.