Aktiviteti ndërfetar: “Të mbrojmë Tokën, shtëpinë tonë të përbashkët”

Ditën e martë në mbrëmje, më 11 dhjetor 2018, tre komunitetet fetare të Shkodrës, organizuan një aktivitet të rëndësishëm me temë: “Të mbrojmë Tokën, shtëpinë tonë të përbashkët”.

Në këtë aktivitet morën pjesë drejtuesit e komuniteteve fetare, të pushtetit lokal, policisë, universiteteve, klerikë dhe shumë besimtarë e besimtare.

Në fillim dhanë mesazhet e tyre drejtuesit e komuniteteve fetare, Imzot Angelo Massafra, At Nikolla Petane dhe Imam Muhamed Sytari, mesazhin e të cilit e lexoi  teologu Lavdrim Hamja, imam i xhamisë së “Dy Vajzave”.

Mesazhet e tre drejtuesve fetarë ishin të rëndësishme dhe sensibilizuese për mbarë qytetarët, veçanërisht për besimtarët, të cilët duhet të japin shembullin e parë në ruajtjen dhe mbrojtjen e planetit, shtëpisë së përbashkët të mbarë njerëzimit.

Më pas referuan me kumtesat e tyre, teologu Arben Halluni, përgjegjës i arsimit dhe medias pranë Myftinisë Shkodër, At Fran Përlala, pjesëtar i provincës Françeskane dhe rrëfyes, Laç dhe Miron Çako, drejtor i zyrës Katekistike i Kishës Ortodokse të Shqipërisë.

Duke u bazuar në Librat e Shenjtë, në Kur’an dhe Ungjill, por edhe duke u mbështetur në statistikat dhe faktet shkencore, të tre referuesit sollën në vëmendje amanetin e ruajtjes së tokës dhe dëmet e mëdha, që po shkaktohen nga vetë njeriu. Ata dhanë mesazhe të qarta, se njerëzimi duhet të sensibilizohet dhe të jetë më i përgjegjshëm për rolin e tij si mëkëmbës i Zotit në tokë dhe njëkohësisht të mos bëjë çrregullime në tokë.

Aktivitete të tilla janë gjithmonë të mirëpritura dhe shprehin frymën e bashkëpunimit ndërfetar në dhënien e mesazheve me vlerë dhe humane, për paqen dhe të mirën e përbashkët të të gjithë njerëzimit.