Myftiu: “Sheh Qazim Hoxha, dijetar elitar i ymetit musliman shqiptar!”

Nga minberi i xhamisë së Parrucës, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, nisi ditën e xhuma, më 4 janar 2018, një cikël ligjëratash në kujtim të trashëgimisë së hoxhallarëve të shkuar të Shkodrës.

Ditën e sotme, ai paraqiti për të pranishmit e shumtë, që kishin tejmbushur xhaminë e Parrucës, një hytbe të pasur të mbajtur në prill të vitit 1934 nga Hoxha i urtë, Sheh Qazim Hoxha (1893-1959), ku ndër të tjera i drejtohet besimtarëve me këto fjalë: “O njeri! Shkundu! Çire maskën e apathís, grise perden e gafletit! Të mirat e paqëndrueshme, stolít formale qi do të keshë në jetën t’ande nuk duhet me të bâ qi t’a harrojsh qëllimin e krijimit t’and! Naltësija jote, madhështija e jote duhet t’i drejtohet nji idealit mâ të naltë! Ndiq e studjo çdo lloj të filosofís, të shkencës e të artit; sepse ti je “nuskhai-qubra”, modeli i madh, kopja e naltë qi përmbledh mbrenda nga nji fletë të çdo farë krijese të gjithësís!”

Gjatë hytbes së sotme, Myftiu bëri edhe shpjegime të ndryshme në funksion të këtij cikli të ri, që ka për qëllim të sjellë në vëmendje të opinionit pjesë elitare nga ligjërimet e urta dhe largpamëse të hoxhallarëve tanë të shkuar.