Myftiu priti Koordinatorin e Dijanetit të Turqisë, z. Yasin Şengül

Ditën e enjte, më 4 shkurt 2016, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim pune, koordinatorin e Dijanetit të Turqisë në vendin tonë, z. Yasin Şengül, me të cilin diskutoi rrugët e bashkëpunimit. Gjatë këtij takimi, Myftiu theksoi se propaganda komuniste dhe e armiqve të ndryshëm të Islamit në vendin tonë, kanë kontribuuar maksimalisht që të krijojnë hendeqe paradoksale në marrëdhëniet në mesin e vendit tonë dhe Turqisë. Myftiu tha se kalifati osman është pjesë e lavdisë shekullore islame dhe se shqiptarët dhe turqit kanë bashkësunduar së bashku për shekuj të tërë. Njëkohësisht, Myftiu falënderoi kontributet e vazhdueshme të Dijanetit të Turqisë në vendin tonë, për të cilat tha se ato duhet të jenë më intensive në shërbim të interesave të Thirrjes Islame në Shqipëri. Myftiu tha se dita-ditës Dijaneti i Turqisë po kthehet në një institucion islam me kontribute të vyera dhe konkrete edhe përtej kufijve të Republikës së Turqisë. Nga ana e tij, z. Şengül theksoi se Dijaneti është i interesuar të bashkëpunojë me faktorët islamë në mbarë botën, sikurse edhe në Shqipëri, në shërbim të interesave të përbashkëta në të mirë të Thirrjes Islame. Për rreth një orë, dy bashkëbiseduesit diskutuan rreth rrugëve të bashkëpunimit dhe forcimit të tij.