Ligjërata mbi vëllazërinë islame në xhaminë e fshatit Velinaj

Mbrëmjen e së shtunës, më 23 mars 2019, në një atmosferë të begatë islame, Myftinia Shkodër zhvilloi tribunën islame me temë: “Vëllazëria në Islam”, ku ligjëroi Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari dhe imami i xhamisë së Dërgutit, teologu Ervil Kuçi.

Tematika e vëllazërisë islame na përfshin të gjithëve dhe mbetet një ndër stacionet më të rëndësishme, ku duhet të përqendrohet vëmendja e krejt muslimanëve në mbarë botën, tha në hyrje të aktivitetit teologu Lavdrim Hamja.

Ai falënderoi imamin e xhamisë, të nderuarin Nebi Alija, si dhe të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë mbrëmje të begatë në xhaminë e Velinajve.

Në ligjëratat e tyre, Myftiu dhe imami i xhamisë së Dërgutit, hodhën dritë mbi bekimin e madh me të cilin Zoti i gjithësisë ka rrethuar jetën e muslimanëve deri në kijamet, vëllazërinë islame.

Ata theksuan se në tekstet kur’anore dhe në hadithet e shumta, tërhiqet vëmendja e muslimanit për të dashur për vëllanë e tij atë që do për vete, për të mos i bërë padrejtësi muslimanit, për të mos e urryer muslimanin, për të mos shitur mbitregëtinë e tij, për të mos e shitur muslimanin, për të jetuar në harmoni me bashkësinë e muslimanëve kudo në botë, si dhe për të mos e kursyer lutjen për muslimanët!