Myftiu: “Ngjarja e Zelandës së Re, ftesë për t’u kapur fort pas Islamit tonë!”

Nga minberi i xhamisë së “Dy Vajzave”, ditën e xhuma, më 22 mars 2019, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ligjëroi mbi krenarinë e të kapurit pas udhëzimit islam, ndjekjes me përpikmëri dhe pasimit me dije dhe arsyetim të dritës islame në jetë.

Ai vuri theksin tek ajetet kur’anore që nxisin qëndrueshmërinë në besim dhe ecjen përpara, përtej sprovave dhe vështirësive në jetë.

“Është shumë e rëndësishme, që secili prej nesh, të ketë një bindje të paluhatshme, se besimi dhe besnikëria ndaj tij, janë shtysat dhe garancitë kryesore të mbarësisë, suksesit, shpërblimit dhe lartësimit në këtë botë, para të përtejmes.”, tha ndër të tjera.

Gjatë hytbes së kësaj jave, Myftiu tha se jetët e 50 martirëve të Zelandës së Re, u kthyen në dritë udhëzimi për qindra e mijëra njerëz në atë vend dhe në mbarë botën, të cilët po hulumtojnë për Islamin dhe po e dëshmojnë përqafimin e tij haptas.

Njëkohësisht theksoi se: “Kjo ngjarje e frikshme, na mësoi se bota e sotme është ndarë në dy standarte: standarti për muslimanët dhe ai për të tjerët. Këtë e dëshmuam edhe në ngushëllimet që mori bota nga udhëheqës e personalitete të shumta të saj, që me këtë rast iu dallua edhe boja e fytyrës!?

Por, ngjarja në fjalë nxori në pah edhe vlerat e larta humane, që i pamë të trupëzuara në personalitetin e kryeqeveritares njuzelandeze dhe popullit të atij vendi! Kjo do të thotë se, përtej terrorit, urrejtjues, cytjes dhe persekutimit, në këtë botë ka ende vlera e shpresë!

Tash, ne jemi të gjithë të ftuar t’i përgjigjemi thirrjes së All-llahut: “O besimtarë, nëse ju e pëkrahni (fenë) All-llahun, Ai ju ndihmon juve dhe ju forcon këmbët tuaja”!

Prandaj, duhet të mendojmë gjatë për këtë ngjarje, që na thërret me tërë forcën e saj për t’u kapur fort pas Islamit tonë, sepse jemi në hak!”

Gjatë hytbes, Myftiu u lut edhe për rininë dhe familjen shqiptare dhe për muslimanët në mbarë botën, për paqe, harmoni dhe bashkim të duarve në ndërtimin e një jete plot vlera besimi.