Mbrëmje festive në prag të Ramazanit 1440/2019

Ditën e shtunë, më 4 maj 2019, ashtu si ishte lajmëruar më parë, Myftinia Shkodër organizoi në xhaminë e Parrucës një mbrëmje festive me rastin e afrimit të Hënës së Re të Muajit Ramazan 1440.

Aktiviteti mblodhi besimtarë të shumtë, që kaluan momente të gëzueshme në prani të imamëve të nderuar, mesazheve të larmishme dhe ilahive të bukura të kënduara me plot emocion nga bilbilat e Prizrenit, vëllezërit Menduh dhe Denis Allajbeg, si dhe i nderuari Ergys Dyli.

Aktiviteti nisi me leximin e një pjese kur’anore nga medresisti Muhamed Muça.

Më pas, teologu Lavdrim Hamja, pasi uroi mirëseradhjen e të pranishëmve, prezantoi programin e larmishëm me mesazhe dhe ilahi, në prag të Muajit Ramazan 1440, i cili nis ditën e hënë, më 6 maj 2019.

Të pranishmit shijuan ilahitë e bukura të kënduara nga vëllezërit Allajbeg nga Prizreni, që dhuruan emocione dhe një atmosferë festive për besimtarët.

Mesazhe të përmbledhura dhanë edhe imamët e nderuar: H. Naim Drijaj, H. Adem Pizga, H. Ruzhdi Plangaj, H. Durim Kasemi, H. Lavdrim Hamja.

Aktivitetin e përshëndeti edhe Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari, i cili shprehu kënaqësinë e tij për këtë tubim festiv, që i paraprin fillimit të Muajit Ramazan 1440.

Myftiu u lut që Muaji Ramazan të jetë i begatë për Shkodrën, Shqipërinë dhe mbarë ymetin islam, sikurse falënderoi besimtarët dhe imamët për pjesëmarrjen në aktivitetet dhe ligjëratat e larmishme të dy muajve të fundit, që i paraprinë Ramazanit të Begatë.

Për të pranishmit u shpërndanë edhe dhuratat e kësaj mbrëmjeje të shënuar, sikurse u fal edhe namazi i akshamit me xhemat.

Myftinia Shkodër ju uron: Me zemër të mirë dhe me begati Muajin Ramazan 1440!