Mbrëmjen e së xhumasë, më 3 maj 2019, nga xhamia e “Dy Vajzave”, u mbyll cikli pesëditor i ligjëratave në prag të Ramazanit 1440, që Myftinia Shkodër organizoi në disa prej xhamive të qytetit.
Sipas programit të lajmëruar, në xhamitë: “Ebu Bekër”, Parrucë, te Ura e Bunës, te Medreseja dhe e “Dy Vajzave”, u mbajtën 10 ligjërata me dobi nga teologët: Idmir Plaku, Gilman Kazazi, Naim Drijaj, Durim Kasemi, Adem Pizga, Ruzhdi Plangaj, Adil Cukali, Ervil Kuçi, Lavdrim Hamja dhe Arben Halluni.
Aktivitetet u pasuan edhe nga këshillat dhe mesazhet e Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, sikurse u ndoqën nga të interesuar të ndryshëm që patën mundësi të bëhen pjesë e këtij cikli me vlera.
Ligjëratat do të transmetohen edhe në tv1 channel, gjatë ditëve të Ramazanit, më vazhdën e emisionit tradicional “Ramazani midis nesh”.