“Karta e Mekës”, konferenca historike e Ligës Botërore Islame

Nën kujdesin e Mbretit Selman bin Abdulaziz të Arabisë Saudite, në datat 27-30 maj 2019, Liga Botërore Islame zhvilloi në Mekë konferencën ndërkombëtare me temë: “Vlerat e qëndrimit të moderuar dhe mesatar në tekstet e Librit dhe të Traditës profetike”, ku morën pjesë mbi 1200 myftilerë, studiues islamë, mendimtarë e drejtues të organizatave ndërkombëtare islame, nga 139 shtete të botës.

Në seancën e hapjes morën pjesë prijës të shumtë fetarë, drejtues organizatash ndërkombëtare dhe udhëheqës nga vende të ndryshme të botës islame.

Sekretari i Përgjithshëm i Ligës së Botës Islame, Shejkh Dr. Muhammed bin Abdulkerim El-Isa, u shpreh se kjo konferencë ndërkombëtare është e një rëndësie të veçantë, duke pasur parasysh rrethanat në të cilat po kalon mbarë bota islame.

Ai theksoi se konferenca po ndiqet nga një grup i madh dijetarësh, myftilerësh, zyrtarësh të lartë dhe mendimtarësh nga mbarë bota islame.

Në seancat e kësaj konference u diskutua rreth temës së moderimit dhe mesatares, kuptimeve të armishme dhe domethënieve të thella të tyre, tiparet e moderimit dhe parimet e tij në fenë islame, bazuar në ajetet kur’anore dhe hadithet profetike, efektet dhe rrethanat e padijes mbi konceptet e moderimit, etj., ku dijetarë të shquar të botës islame diskutuan përgjatë seancave të konferencës.

I pranishëm në këtë takim, me ftesë të veçantë nga Liga Botërore Islame, ishte edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili gjatë kësaj konference me vlera të veçanta, zhvilloi edhe disa takime me pjesmarrës të ndryshëm në këtë takim botëror, si nga: Turqia, Argjentina, Bullgaria, Çeçenia, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Dagestani, Rumania, Bosnja dhe Hercegovina, Novi Pazari, Serbia, Kosova, Korea e Jugut, Australia, Libani, etj., me të cilët diskutoi rreth temave me interes të përbashkët.

Konferenca kulmoi me shpalljen e “Kartës së Mekës”, të cilën organizatorët e konferencës e përshkruan si një vendim historik për mbarë botën islame.