Imami i xhamisë “Eyüp Sulltan” tё Stambollit ligjëron në xhaminë e Parrucës

Ditën e hënë, më 15 korrik 2019, besimtarët muslimanë shkodranë, frekuentues të xhamisë së Parrucës, por jo vetëm, patën mundësi të dëgjonin nga afër këndimet e mrekullueshme dhe ligjërimin e imamit mirënjohur të xhamisë së sahabiut Ebu Ejjub El-Ensari (r.a.) në Stamboll të Turqisë, Hafiz Metin Çakar.

Vizita e imamit të mirënjohur turk në qytetin e Shkodrës, vjen si pjesë e programit pёrkujtimor: “15 Korrik – Dita e Demokracisё dhe Bashkimit Kombёtar”, që organizohet nёn kujdesin e Presidencёs sё Republikёs sё Turqisё dhe Ambasadёs sё Republikёs sё Turqisё nё Tiranё.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Ambasadori i Republikёs sё Turqisё nё Tiranё, Sh.T.Z. Murat Ahmet Yörük, Drejtori i Qendrës Kulturore “Yunus Emre” në Shkodër, z. Zafer Kayıcı, korrespondenti i luftёs sё Agjencisё Anadolu, z. Samet Doğan si dhe veterani i 15 korrikut, z. Sabri Gündüz.

Në fjalën e rastit, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, falënderoi ambasadorin turk për praninë e tij në Shkodër, duke theksuar se miqësia dhe vëllazëria shekullore në mesin e dy popujve tanë mbetet një garanci e patundur e vazhdimësisë në rrugën e bashkëpunimeve dhe angazhimeve të përbashkëta në shërbim të vëllazërisë së sinqertë shekullore.

Myftiu falënderoi imamin e nderuar nga Stambolli, sikurse theksoi se vizita e tij është një moment gëzimi për besimtarët muslimanë në Shkodër.

Hafiz Metin Çakar, pas këndimit të musalasë dhe disa pjesëve kur’anore, iu drejtua të pranishëmve me një ligjëratë plot njohuri dhe të dhëna mbi sahabiun Ebu Ejjub El-Ensari (r.a.), sakrificën në rrugën e All-llahut (xh.sh.), çlirimin e Kostandinopojës dhe u lut për mbarësi dhe bekime për të pranishmit dhe krejt popujt e botës.