Këshilla dhe udhëzime për haxhilerët shkodranë

Paraditën e së martës, më 23 korrik 2019, në vazhdën e trajnimit që Myftinia Shkodër po zhvillon me haxhilerët shkodranë të këtij viti, për grupin e besimtarëve që po përgatiten për udhëtimin e mrekullueshëm të Haxhit, ligjëroi teologu Idmir Plaku, imam i xhamisë “Ebu Bekër”.

Në fjalën e tij, imami i nderuar iu drejtua të pranishëmve që ta shfrytëzojnë kohën maksimalisht, duke iu përkushtuar adhurimit në më të mirin e vendeve të botës, me qëllim përfitimin e mëshirës dhe faljes së premtuar.

Ai theksoi se tavafet, namazet dhe leximi i Kur’anit, krahas bamirësisë, solidaritetit e përhapjes së paqes me këdo e kudo, përgjatë krejt ditëve të këtij udhëtimi të shumëpritur; janë shenjë e përkushtimit ndaj Zotit të gjithësisë.

Trajnimi vijoi edhe me pjesën e dytë të shpjegimeve teorike mbi Haxhin dhe rregullat e tij, ku teologu Ruzhdi Plangaj dha udhëzimet e duhura për të pranishmit.

Ndërkohë, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, bëri disa komente që lidhen me qëndrimin në Mina, Arefat, Muzdelife, gjuajtjen e guralecëve, ditën e Kurban Bajramit dhe vizitën e Resulull-llahut (a.s.).

Për të pranishmit u shpërnda edhe broshura e lutjeve të Haxhit, si dhe një botim i ri mbi jetën dhe shembullin e Hz. Muhammedit (a.s.).