Këshilla të dobishme në prag të nisjes së haxhilerëve tanë

Paraditën e së enjtes, më 25 korrik 2019, vijoi trajnimi i haxhilerëve shkodranë të vitit 1440, ku në program ishin udhëzimet e kryetarit të grupit të haxhilerëve shqiptarë të organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, z. Lauren Luli, si dhe ligjërata e Myftiut të Malësisë së Madhe, H. Edmir Smajlaj.

Gjatë bashkëbisedimit me të pranishmit u vu theksi tek rëndësia e respektimit të frymës në grup, përfitimi nga koha, angazhimi për t’i dhënë hakun e duhur të gjitha ritualeve që lidhen me plotësimin dhe kryerjen me saktësi të Umres dhe Haxhit, bashkëpunimi për të ruajtur frymën e harmonisë dhe të vëllazërisë me krejt pjesëmarrësit në Haxhin e sivjetshëm nga mbarë bota, etj.

U lajmërua data e nisjes dhe detajet e organizimit të përcjelljes së haxhilerëve të Shkodrës dhe Malësisë së Madhe, që edhe si vitet e tjera, do të nisen së bashku nga xhamia e Parrucës.

Aktivitetin e përshëndeti edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili falënderoi stafin e Myftinisë Shkodër, imamët dhe myftilerët e përfshirë në trajnimin e sivjetshëm, si dhe haxhilerët e pranishëm, për vëmendjen dhe angazhimin e tyre gjatë ditëve këtij trajnimi me dobi.