Vijojnë punimet për xhaminë e madhe të Kirasit

Paraditën e së enjtes, më 29 gusht 2019, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një inspektim për të parë nga afër punimet që po kryhen për xhaminë e madhe në lagjen Kiras.

Pasi pa nga afër nivelin e punimeve dhe se si objekti i ri shumëfunksional po merr formë dita-ditës, Myftiu dha edhe një mesazh, nëpërmjet të cilit shprehu falënderimet për Fondacionin “Mirënjohja” dhe drejtuesin e saj, z. Samed Shehu, si dhe donatorin nga Shteti i Kuvajtit, për këtë mirësi të madhe për Shkodrën.

Myftiu bëri thirrje që personat që kanë uzurpuar vakëfet e Shkodrës, ta kenë frikë Zotin dhe të kthehen nga udhëzimi i Tij, duke hequr dorë nga kjo padrejtësi e madhe, me të cilën kanë rënduar veten, duke u bërë grabitës të vakëfit të shenjtë.

Ai tha se prona është e shenjtë dhe se i takon pronarit legjitim, sidomos kur fjala është për pronat e Myftinisë Shkodër, një pjesë e mirë e vakëfeve të së cilës ngelen të shkelura nga mungesa e drejtësisë dhe institucioneve të përgjegjshme, si dhe nga dobësimi i besimit në zemrat e njerëzve, që është edhe faktori kryesor.

Myftiu tha se qeveria duhet ta ketë prioritet kthimin e pronës tek i zoti, jo të nëpërkëmbë pronarët legjitimë, veçanërisht komunitetet fetare.