Dr. Salahudin Ahmed Keftaro bashkëbisedoi me maturantët e Medresesë

Ditën e hënë, më 21 tetor 2019, Dr. Salahudin Ahmed Keftaro, i shoqëruar edhe nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një vizitë në Medresenë “Haxhi Sheh Shamia”, ku u prit nga drejtori, z. Kujtim Dervishi me stafin e tij.

Gjatë kësaj vizite, drejtori i Medresesë e informoi mikun e madh nga Siria mbi historikun, arritjet dhe rezultatet përherë në rritje të Medresesë, si një djep i sigurtë i dijes, besimit dhe qytetarisë.

Nga ana e tij, Dr. Keftaro vlerësoi arritjet e Medresesë së Shkodrës me dy degët e saj, sikurse dha disa udhëzime dhe këshilla me dobi për vazhdimësinë e aktivitetit dhe larminë e tij.

Më pas, ai zhvilloi edhe një bashkëbisedim të hapur me maturantët e shkollës, ku dha këshillat e tij të vyera për të pranishmit.

Më herët, aktivitetin e përshëndeti edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i theksoi se është në nderin e Myftinisë Shkodër që të ketë mik të madh e të shtrenjtë në Shkodër, personalitetin e shquar islam Dr. Salahudin Keftaro.

Aktiviteti u shoqërua edhe me pyetje të shumta, që maturantët ia drejtuan mendimtarit dhe thirrësit të shquar nga Damasku.