Promovohet numri 200 i gazetës “Udha Islame”

Pasditen e së xhumasë, më 15 nëntor 2019, në kuadër të përkujtimit të 16 nëntorit 1990, Myftinia Shkodër organizoi promovimin e numrit 200 të gazetës “Udha Islame”, në formën e një ekspozite me fotot e 200 numrave të kësaj gazete.

Aktivitetin e hapi teologu Arben Halluni, kryeredaktori i parë i gazetës, ku ndër të tjera solli për të pranishmit kujtimet e organizimit të grupit të punës për nxjerrjen e numrit të parë të gazetës “Udha Islame”, emocionet, mbresat, por edhe vështirësitë, që shoqëruan daljen e numrave të parë.

Pastaj, e mori fjalën teologu Lavdrim Hamja, kryeredaktori aktual i gazetës, i cili u ndal tek rëndësia e medias në përgjithësi dhe e gazetës në veçanti në fushën e Thirrjes Islame dhe ndikimi që ka tek masat.

Ndër të tjera, ai tha se “Udha Islame” ka luajtur një rol të rëndësishëm për promovimin e aktivitetit të Myftinisë Shkodër dhe ka përcjellur në mënyrë dinjitoze mesazhet universale të Islamit te lexuesit i saj, brenda dhe jashtë vendit.

Më pas përshëndeti Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, i cili tha se, në këtë ditë të madhe të përkujtimit të 16 nëntorit 1990, ditë së çlirimit të vërtetë të vendit nga regjimi komunisto-ateist, gazeta “Udha Islame” është një vlerë e madhe me kontribute të shumta që përhapin rreze drite dhe shprese për shoqërinë.

Ndër të tjera, Myftiu tha se, gazeta “Udha Islame” është dëshmitare e kohës për shumë ngjarje dhe data të rëndësishme gjatë këtyre viteve të botimit të saj.

H. Fejzi Zaganjori, nismëtar dhe anëtar i grupit të punës për botimin e kësaj gazete, solli në vëmendje kujtimet e para dhe diskutimet frytdhënëse, që u kurorëzuan me daljen e numrit të parë të saj, në tetor të vitit 2002. Ai përmendi intelektualët e nderuar të Shkodrës, të cilët u bënë pjesë e rrugëtimit të gazetës “Udha Islame”.

Këtë aktivitet e përshëndeten edhe Myftiu i Malësisë së Madhe H. Edmir Smajlaj dhe Myftiu i Pukës, z. Gëzim Kopani.