Ditën e xhuma, më 15 nëntor 2019, në përkujtim të 29 vjetorit të rihapjes së xhamisë së Plumbit dhe sjelljes në vëmendje të ditës së paharruar të 16 nëntorit 1990, Myftinia Shkodër organizoi faljen e xhumasë përkujtimore të kësaj dite në xhaminë e Plumbit.
Besimtarë të shumtë kishin ardhur për të falur xhumanë e kësaj jave në xhaminë e Plumbit, si për të dëshmuar mirësinë dhe bekimet e asaj dite të paharruar për memorien tonë kombëtare.
Hytbeja e kësaj xhumaje u mbajt nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili u përqendrua tek mesazhet e kësaj ngjarjeje dhe rëndësinë që ka përkujtimi i datave të shënuara të historisë sonë kombëtare.
Myftiu e cilësoi ditën e 16 nëntorit 1990, si ditë e Çlirimit të Madh të popullit shqiptar nga terrori komunist dhe përpjekja e dëshpëruar për të fshirë besimin nga zemrat dhe jeta e njerëzve.
Myftiu vlerësoi frymën e atyre ditëve, ku i madh dhe i vogël ishin aty, për të mundësuar dëshmimin e thirrjes së shpirtit të liruar nga prangat dhe vargonjtë e periudhës më të errët të historisë sonë kombëtare.
Njëkohësisht Myftiu tha se, ka shumë rëndësi të pyesim se ku jemi sot, kur akoma nuk janë liruar vakëfet, sikurse ka një neglizhencë të theksuar institucionale për zgjidhjen e çështjes së pronave të muslimanëve shqiptarë. Poashtu tha se, akoma sot, lënda e edukatës fetare nuk ka hyrë në kurrikulat e arsimit shqiptar, përtej demagogjisë së qeverisë. Poashtu përmendi mosvlerësimin e duhur të objekteve të trashëgimisë islame, të cilat janë nëpërkëmbur, njësoj si xhamia e Plumbit, a edhe më keq.
Myftiu tha se, akoma sot nuk ka një ligj kundër deskriminimit për shkak të besimit, kundër islamofobisë dhe nxitjes së urrejtjes ndërfetare, sikurse theksoi se laicizmit selektiv i ndjehet era e keqe prej kilometra larg!
Ai kërkoi që besimtarët të luten për shpirtin e Hafiz Sabri Koçit dhe bashkëpunëtorëve të tij, sikurse tha se shoqëria duhet të ngrihet për të mos e pranuar zullumin, korrupsionin dhe të keqen, që përhapet kudo dita-ditës!