Familja e Hz. Zekerijasë, shembull i familjes islame aktive

Në ajetin 90 të sures “El-Enbija”, lexojmë për shembullin e mrekullueshëm të Hz. Zekerijasë (a.s.), të shoqes dhe të birit, Hz. Jahjasë (a.s.), për të cilët, Zoti i gjithësisë dëshmon se: “… ata shpejtonin drejt punëve të mira…”.

Me fjalë të tjera, All-llahu i Madhëruar na fton nëpërmjet shembullit të kësaj familjeje të nderuar të besimit dhe vlerave, që ta bëjmë të mirën dhe dobinë ndaj tjetrit, shenjë treguese për individët e familjes tonë!

All-llahu (xh.sh.) kërkon që burri dhe gruaja, djali dhe vajza, krejt familja islame, të udhëzohen drejt të mirës dhe dobisë; ta përvetësojnë atë në jetë, ta veprojnë e të thërrasin drejt saj me sa të kenë mundësi!

Nëse mbledhim së bashku argumentet e shumta e të bollshme nga Kur’ani, tradita e Hz. Muhammedit (a.s.) dhe historia e të shkuarve të përkushtuar, do të shohim se shoqëria e ndërtuar mbi bazat e mirësisë dhe nxitjes për të qenë i dobishëm, është shoqëri garante për ruajtjen e ekuilibrave të jetës, për ruajtjen e harmonisë në jetë, për përhapjen e paqes dhe nxitjen e saj me krejt mundësitë e dhëna!

Resulull-llahu (a.s.) u ngrit në këmbë për xhenazen e një jehudiu dhe, kur e pyetën për veprimin e tij, tha: “A nuk është njeri?”. I shtroi hirkën e tij të krishterëve që priti në xhami, në shenjë respekti dhe mikpritjeje. Tha për një person, që e akuzonin se kishte konsumuar alkool: “Mos e mallkoni se, ai e do All-llahun dhe të dërguarin e tij!”. U mërzit pa masë për axhën e tij, Ebu Talibin, që u largua nga kjo botë, pa e dëshmuar shehadetin. Vetë Zoti i gjithësisë e përjetësoi gjendjen e mërzisë së Resulull-llahut (a.s.) nga mospranimi i disave i thirrjes së begatë të udhëzimit e të vërtetës!

Këto e shumë e shumë shembuj të tjerë të gjallë, janë një nxitje për këdo, sidomos për ca të rinj, që nga pozita e mendjes së ngurtë dhe fetarizmit të bunkerizuar, trazojnë e lëndojnë familjarët e tyre, jopraktikantë!

Kjo nuk është e drejtë, as e kërkuar në fé, as e shënuar në traditat tona islame! Islami ynë është mëshirë, dhembshuri e bindje e natyrshme, mbështetur mbi bazat e arsyetimeve të shëndosha e argumentimeve të urta, ndërsa udhëzimi, vetëm në dorën e Zotit!

(Nga dersi i sabahut, mbajtur nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, më 19 mëntor 2019, në xhaminë e Parrucës)