Në kuadër të mexhliseve të përditshme, me shkas përkujtimin e Lindjes së Begatë dhe misionit të Hz. Muhammedit (a.s.), që Myftinia Shkodër po organizon këto ditë në xhami të mdryshme të qytetit dhe fshatit, mbrëmjen e së hënës, më 18 nëntor 2019, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ligjëroi në xhaminë e fshatit Kullaj.
Mexhlisi i kësaj mbrëmjeje ishte konceptuar si lexim-komentim i disa porosive të Resulull-llahut (a.s.), mexhlis që do të vazhdojë edhe të hënën vijuese, pas namazit të akshamit në këtë xhami.
Fillimisht, Myftiu tha se, fakti që Zoti i gjithësisë na krijoi në një kohë, për të qenë pjesë e ymetit të Hz. Muhammedit (a.s.), është pa dyshim mirësi e madhe dhe shenjë e mëshirës së Tij për ne.
Myftiu kërkoi që mësimet dhe traditat e të Dërguarit të All-llahut, t’i përhapim me sa të kemi mundësi, si një alternativë e garantuar për ta ndryshuar realitetin e shoqërisë ku jetojmë.
Më pas, nën leximin e porosive të Resulull-llahut (a.s.), nga imami xhamisë Kullaj, z. Ardin Selhani, Myftiu bëri edhe komentet e përzgjedhura për këtë mbrëmje të begatë.
Mexhlisi u mbyll me shpresën e vijimit të tij dhe shtimit të këtyre tubimeve me vlerë për xhematin tonë.