Myftiu: “Islami erdhi si bekim për botën!”

Nga xhamia e rikonstruktuar e fshatit Ganjollë, ditën e xhuma, më 21 shkurt 2020, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, dha mesazhin e javës nga minberi i xhumasë, duke u fokusuar tek përshkrimi i xhennetit dhe nxitja që feja islame i bën besimtarëve muslimanë për ta ndërtuar këtë jetë me virtyte e mirësi.

“Një njeri që punon për xhennetin e Zotit të tij, është një njeri i disiplinuar me Zotin e tij! Është njeri i rregullt në marrëdhënie me urdhëresat dhe ndalesat e All-llahut të Madhëruar! Është njeri korrekt me jetën, korrekt me tjetrin, korrekt në familje, korrekt në shoqëri, korrekt në punën e tij, njeri prej të cilit nuk del vetëm se e mira! Njeri i pastër, njeri i ndershëm, njeri i komunikueshëm me të tjerët, njeri bamirës, njeri solidar me ata që kanë nevojë! Pra, cilësitë më të mira që mund të ekzistojnë në këtë botë, janë cilësitë e atyre personave, të cilët në ditën e gjykimit do të meritojnë shpërblimet e mëdha nga Zoti i gjithësisë! E, nëse ne kërkojmë, lexojmë e hulumtojmë për këto cilësi, do t’i gjejmë në Kur’anin Famëlartë, që udhëzon drejt më të mirës! Dhe i cili, në një hark kohor prej 23 vitesh, ndryshoi rrjedhën e një populli të shthurrur e të devijuar dhe i bëri të ishin: “populli më i mirë i krejt njerëzve”! Më i miri popull i historisë së njerëzimit!

Nga këtu, pyetja që duhet t’i drejtojmë vetes sot, edhe ne shqiptarët që e kemi përqafuar Islamin, është: Po të bëjmë një krahasim në mesin e 23 viteve të transformimit të arabëve dhe, viteve e dekadave të marrëdhënies tonë me Islamin, a jemi ne në fakt korrekt me Islamin tonë? A e kemi perceptuar dhe kuptuar si duhet këtë Islam, për të na nxjerrë nga errësira në dritë? A e kemi përvetësuar ne këtë Islam për të jetuar si njerëz, që e duan All-llahun në çdo vepër prej veprave të tyre? Apo kemi marrë dhe vazhdojmë të marrim nga Islami ynë vetëm pamjen e jashtme? Dhe, a vlen pamja e jashtme e fesë në jetën e përditshme, për të garantuar mirësinë dhe paqen e zemrës dhe të shpirtit, pastaj me të tjerët?! Këto janë pyetje që duhet t’ia drejtojmë vetes, herë pas here!” – tha ndër të tjera Myftiu.