Myftiu: “Islami udhëzon drejt pastërtisë dhe jetës së shëndetshme!”

Ditën e martë, më 10 mars 2020, pas namazit të akshamit në xhaminë e Tophanës, u zhvillua një bashkëbisedim rreth temës së pastërtisë dhe etikës së të ushqyerit dhe pijes në Islam.

Fillimisht ishte imami i xhamisë, teologu Ferid Rrilla, i cili lexoi dhe komentoi disa hadithe nga libri “Rijadus-Salihine”, që lidhen me temën.

Më pas, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, u ndal tek shpjegimi i disa prej teksteve kur’anore dhe haditheve të shumta, që lidhen me pastërtinë, nxitjen e saj dhe faktin madhor, se Islami është fé e pastërtisë në çdo drejtim.

“Resulull-llahu (a.s.) i mësoi sahabët e tij dhe muslimanët deri në kijamet se pastërtia është gjysma e besimit.

Ai i mësoi ata të pastrohen pesë herë në ditë, duke nisur me larjen e duarve, shpërlarjen e gojës, gargarat me ujë, pastrimin e kanaleve të hundës poashtu, larjen e fytyrës, krahëve, fërkimin me dorë të lagur të kokës e larjen e këmbëve!

I obligoi për pastrimin e gojës dhe dhëmbëve poashtu. I mësoi gusulin, larjen e përgjithshme, që nuk lidhet me ditë e natë.

I mësoi larjen e duarve para ushqimit, pas ushqimit, ngrënien me kafshata të vogla, të ushqyerit dhe pijen në pozicion ulur dhe me tre hurtha.

I mësoi synetimin e djemve që në ditën e shtatë, pas lindjes, heqjen e flokëve të parë. Subhanallah, veç pastërti.

Na janë ndaluar ushqimet dhe pijet e dëmshme, si: derri, kafshët grabitqare, etj., sikurse jemi urdhëruar të distancohemi nga çdo pije alkoolike!

Sepse në Islam, ne jemi urdhëruar dhe brumosur të jetojmë pastër dhe shëndetshëm!” – tha ndër të tjera Myftiu.