“Shpejtojeni sadekanë, sepse fatkeqësia nuk e tejkalon atë!”

17 Shaban 1441. Hana e këtij muaj, ka nisur tashmë ritmet e afrimit me momentin e shfaqjes së Dritës së Muajit Ramazan, që sivjet, duket se do e ngacmojë edhe më shumë përkushtimin dhe dashninë, nëpërmjet të cilëve lartësohemi, për t’u ndarë nga realitetet e llumit propagandistik, ngarkuar me ligjërime e deklarata frikësimi, drejt gjetjes së forcës së besimit të palëkundur, para të cilit, këto realitete dhe personazhet e tyre kthehen në njëshfaqje të paaftësisë për të mbajtur peshoren. E, ne, sabërli, kalojmë me sherbezllëk para këtij fenomeni, siç bëjmë sa herë kalojmë pranë rrjedhës së Bunës e vërshimeve të Drinit, në përmbajtjen e të cilëve ka shumëçka që shkon e derdhet natyrshëm dhe në heshtje drejt hapësirave të detit pa fund, duke e pastruar natyrën në një proces të domosdoshëm për jetën plot shëndet..!

Të dashur dhe të shtrenjtë vëllezër e motra besimtarë,

Ditën e djeshme përjetova një gëzim të madh, kur njëri prej vëllezërve tanë biznesmenë më njoftoi se kishte përgatitur një sasi pakosh ushqimore dhe se ishte i gatshëm t’i sillte nëçdo moment.

Pak ditë më parë, me dhjetra pako ushqimore u shpërndanë për familje në nevojë nga bamirësia e xhematit të xhamisë së Parrucës.

Javën që kaloi, shumë familje u ndihmuan e për shumë të tjera garantuam qindra pako ushqimore, që do të shpërndahen sipas programit të përgatitur nga vëllezërit e Myftinisë Shkodër. (Dhe shembujt në këtë kontekst janë më të shumtë se të përmenden në këtë mesazh)

Subhanallah! A nuk është e mrekullueshme kjo shfaqje e solidaritetit, që buron nga tabani i besimit të njerëzve? A nuk është koha për ta vlerësuar këtë besim dhe për t’ia hapur rrugën edukimit me vlerat e tij gjithandej, sepse ruajtja e tabanit të shpirtit, është shërbimi më i mirë që i bëjmë ruajtjes dhe forcimit të tabanit tonë kombëtar!

Në kushtet e këtij realiteti të ri, me të cilin po përballemi që rreth pesë javë, si të syrdisur në përpëltitjet e lëvizjeve tëpërkufizuara ditore, nevoja për t’u mbështetur në pragun e besimit, sa vjen dhe forcohet, duke i dëshmuar njeriut sesa zhgatarraq dhe i vogël është, pavarësisht se zhvillimi material në kurriz të llampës së shpirtit, përherë në shuarje, e kthen njeriun në një krijesë në syrgjynllëk, para tekave, egos së sëmurë dhe karakterit në lëngatë!

Zgjidhja është kthimi nga dera e pendimit, lutjes dhe ripërtëritjes nëpërmjet besimit, për të dëshmuar secili prej nesh madhështinë e prehjes shpirtërore dhe udhëzimit të ekuilibruar drejt zhvillimit të shëndoshë dhe përparimit të siguaruar me mbështetjen e drejtë në Zotin e gjithëpushtetshëm!

Vëllezër dhe motra,

Sot kemi nevojë të lexojmë të përbashkëtat e agjërimit dhe sadekasë, si domosdoshmëri për t’u privuar me bindje e lirisht nga shumë dyer të lejueshmërisë në jetë, me qëllim ruajtjen, shëndetin, forcimin dhe pastrimin nga e keqja e dukshme dhe ajo e padukshme.

Kemi nevojë të kuptojmë se Muaji Ramazan që po vjen, përtej ritualit të vetëkontrollimit të gjymtyrëve, privimit nga ushqimi dhe pija në orare të caktuara, distancimit me bindje nga mundësia e plotë e argëtimit dhe prehjes në oazet e hallallit në familje, brenda limiteve të përcaktuara në kalendarin e këtij Muaj, por jo vetëm; na ndihmon përherë e më shumë për të nxjerrë në pah thelbin e natyrës sonë të pastër të besimit, dhembshurinë, mëshirën, urtësinë e altruizmin e pastër.

Njësoj si sadekaja, në krejt format dhe llojet e saj, që na mundëson, që me të njëjtin shpirt e me të njëjtën vetëdije, të rrugëtojmë drejt përfitimit të bekimeve hyjnore, që na mundësojnë të lartësohemi drejt pozitës së shtatë lloje njerëzish, që në ditën e gjykimit do të qëndrojnë nën hijen e Arshit të All-llahut, në një ditë, ku nuk do të ketë hije, perveç hijes së garantuar prej Tij: “… dhe një person që jep një sadeka saqë nuk di e majta, çfarë ka dhënë e djathta e tij!”.[1]

Ky Muaj i Begatë që po vjen, na frymëzon përherë e më shumë për t’u kthyer nga bamirësia, sidomos në kushtet e mungesës së përkrahjes së duhur për shumë e shumë familje në realitetet e qytetit dhe vendit tonë.

Jo më kot, Resulull-llahu (a.s.) iu drejtua sahabiut të dashur Hz. Muadh ibn Xhebel me këto fjalë: “A të tregoj për dyert e të mirës, krejt të mirës? Agjërimi është mburojë; sadekaja e shuan gabimin, siç e shuan uji zjarrin…”.[2] Pra, me agjerim dhe çlirim prej lakmisë, arrijmë të lartësohemi dhe të shpërndajmë shpresë në mesin e njerëzve.

All-llahu i Madhëruar thotë në Kur’anin Famëlartë: “Kush shtë ruajtur prej lakmisë së vet, të tillët janë të shpëtuar!”.[3]

Sa e sa gabime janë bërë në këtë vend e këtë tokë, në këto dekada..! Sa e sa padrejtësi e shkelje..! Sa e sa dëmtime të natyrës e vrasje të jetës e shpresës..! Sa e sa korrupsion e mashtrim, shthurrje e devijim..! Sa e sa abuzim me shenjtëritë e fesë, shkelje të drejtave të besimtarëve, terrorizëm kibernetik e mediatik kundër fesë së Zotit dhe besimtarëve të Tij..! Sa e sa..!

Prandaj, ejani të gjithë, nga më i madhi te më i vogli, nga ai me pozitëe pushtet te ai mezi siguron kafshatën e ditës, të kthehemi me pendim e lutje nga Zoti ynë, që të ndryshojmë e të ngrihemi nga humnerat ku kemi rënë si racë njerëzore, sepse përherë ka shpresë e dritë, sa ka frymë e jetë!

Vështirësitë e jetës na afrojnë më shumë me Zotin Mëshirëplotë, që e don zërin tonë në lutje, që dëshiron që ne ta shijojmëëmbëlsinë e thirrjes: “Ja All-llah, o Zot…”, që dëshiron që ne të pastrojmë zemrat nga dyshimet e dilemat që na e mjegullojnë pasqyrën e teuhidit, të kuptojmë se me përuljen para duarve të Tij ne rritemi dhe lartësohemi në këtë botë, pastrohemi e afrohemi përherë e më shumë me Dritën e Dashnisë së Tij, Madhëruar qoftë!

Resulullahu (a.s.) na mëson: “Shpejtojeni sadekanë, sepse fatkeqësia nuk e tejkalon atë!”.[4] Dhe, a ka fatkeqësi më të madhe se sa të hutohet njeriu nga Zoti i tij? A ka fatkeqësi më të dhimbshme se sa të injorojë njeriu vetveten, teksa gënjehet nga zullumi dhe bota e tij, duke menduar se s’ka Zot, se s’ka llogari, se s’ka peshore, në një ditë, ku askujt nuk do i behët padrejtësi?! Ku janë faraonët e diktatorët? Ku janëata, të marruarit e ktillit, që e shurdhuan këtë popull për dekada duke bëritur: “Lumturinë tonë po e gjejmë tek partia dhe jo tek feja e zoti”[5]? Ku janë..?!

Të shtrenjtë besimtarë,

Sahabiu i nderuar Ebu Dherr El-Gifari (r.a.) na tregon se e pyeti një ditë Resulull-llahun (a.s.): “Çfarë e shpëton njeriun nga zjarri (pra, nga ndëshkimi i ditës së gjykimit)? Tha (a.s.): “Besimi në All-llahun”. I thashë: “O Lajmëtar i All-llahut, a ka vepra me këtë besim?” Tha (a.s.): “Të japësh nga ajo që të ka dhënë All-llahu!”. I thashë: “O Lajmëtar i All-llahut, po nëse është njeri i varfër dhe nuk ka mundësi të japë? Tha (a.s.): “Të urdhërojë për mirë dhe të ndalojë të keqen!”. I thashë: “O i Dërguar i All-llahut, po nëse nuk ka mundësi të urdhërojë për mirë e të ndalojë të keqen?”. Tha (a.s.): “Le të ndihmojë një të pamundur!”. I thashë: “O Lajmëtar i All-llahut, po nëse nuk ka mundësi ta bëjë këtë?”. Tha (a.s.): “Le të ndihmojë një njeri që i është bërë padrejtësi!”. I thashë: “O i Dërguar i All-llahut, po nëse është i dobët dhe i pamundur për të ndihmuar atë që i është bërë padrejtësi?”. Tha (a.s.): “A nuk do t’i lësh shteg për të bërë mirë shokut tënd? Le ta ndalojë të keqen e tij nga njerëzit!”. I thashë: “O i Dërguar i All-llahut, po nëse e bën këtë, a do të hyjë në xhennet?”. Tha (a.s.): “Çdo besimtar që vepron njërën prej këtyre virtyteve, ato do ta kapin për dore e do ta shtijnë në xhennet!”.[6]

Mos ngurroni të bëni mirë me sa të keni mundësi, me nijet të pastër e me besim të fortë, sepse Resulull-llahu (a.s.) na ka mësuar: “Njeriu bujar është afër me All-llahun, afër me xhennetin, afër me njerëzit, larg nga zjarri! Ndërsa koprraci është larg nga xhenneti, larg nga njerëzit, afër me zjarrin! I padituri bujar është më i dashur tek All-llahu, sesa adhuruesi koprrac!”.[7]

Sot, Resulull-llahu (a.s.) na fton duke na thënë: “Ai që ia largon një besimtari një brengë prej brengave të kësaj bote, All-llahu do ia largojë një brengë prej brengave të ditës së kijametut. Kushdo që ia lehtëson një njeriu në vështirësi, All-llahu do ia lehtësojë atij në këtë botë dhe në ahiret! Kushdo që e mbulon një musliman, All-llahu do e mbulojë në këtë botë dhe në ahiret!”.[8]

Ky është momenti për ta dëshmuar secili prej nesh veten, me aq sa ka mundësi duke u lutur që All-llahu i Madhëruar të na udhëzojë drejt më të mirës, të na ruajë nga e keqja e të na dhurojë shpërblimin e durimtarëve në gjendje sprovash!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër


(Mesazhi i xhumasë së pestë, më 10 prill 2020, në kushtet e pandemisë Covid-19)

[1]Transmetuarnga Imam Bukhariu.

[2]TransmetuarngaTirmidhiu, ngaMuadh ibn Xhebel (r.a.).

[3] Kur’ani, El-Hashr: 9.

[4]Transemtuarnga Imam Bejhekiu, ngaBishr ibn Abid (r.a).

[5] Q.H., në gazetën “Zëri i popullit”, nr. 77 (5802), e premte, 31 mars 1967, f. 2.

[6]Transemtuarnga Imam Bejhekiu, ngaEbuDherri (r.a.).

[7]TransmetuarngaTirmidhiu, nga Nana e jonëAishe (r.a.).

[8]TransmetuarngaMuslimi, ngaEbuHurejra (r.a.).