Myftinia Shkodër ndihmon familjen Mataj

Paraditën e xhuma, më 17 prill 2020, Myftinia Shkodër i është përgjigjur thirrjes për ndihmë të familjes Mataj, në lagjen Drobraç.

Përfaqësuesi i Myftinisë Shkodër, teologu Lavdrim Hamja, u shpreh se, pas kronikës në televizionin lokal, Star Plus, për ndihmë të kësaj familjeje, menjëherë u përgjigjem duke sjellë disa ndihma ushqimore.

“Sot është ditë e xhuma dhe për myslimanët është ditë feste, por edhe në prag të ardhjes së muajit të begatë të Ramazanit, Myftinia Shkodër  përmes bashkëpunimeve me shoqata dhe institucione, por dhe me bamirës të ndryshëm, po jep kontributin e saj në lehtësimin e vështirësive dhe halleve që njerëzit po kalojnë në këtë kohë të pandemisë” –  tha teologu Hamja.

Gjatë kësaj periudhe të pandemisë Covid-19, Myftinia Shkodër ka  qenë në ndihmë të familjeve në nevojë duke shpërndarë rreth 200 pako ushqimore për njerëzit në nevojë.

Myftinia Shkodër u bën thirrje biznesmenëve dhe gjithë atyre që kanë mundësi të kontribuojnë për familjet në nevojë, të mos kursejnë kontributin e tyre, sepse Zoti i Madhëruar i shpërblen shumëfish bamirësit dhe ata që ndihmojnë të varfrit dhe të vobektët.