Pas rasteve të shtuara me Covid 19 në qytetin e Shkodrës, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, iu drejtua mbrëmjen e shkuar qytetarëve shkodranë me një mesazh të drejtpërdrejt, që të bëjnë kujdes maksimal dhe të ndjekin udhëzimet e duhura, për të ruajtur veten dhe familjet e tyre nga pandemia që ka përfshirë mbarë botën.
“Kam një shqetësim jo të vogël sot, por edhe gjatë gjithë këtyre ditëve, që nga momenti kur kryeministri i vendit deklaroi se Shkodra është një minë me sahat.
Në fakt unë nuk kam dëshirë që askush ta përmendë Shkodrën duke e etiketuar atë si minë me sahat, sepse Shkodra nuk ka qenë, as mund të jetë e tillë!
Por, kur bëhet fjalë për mirëqenien e njerëzve, për sigurinë dhe shëndetin e tyre, të gjithë duhet të angazhohemi dhe të punojmë maksimalisht për të ruajtur veten tonë, fëmijët tanë, prindërit tanë, të moshuarit tanë, rininë tonë, shoqërinë tonë nga e keqja dhe nga e padëshiruara!
Rastet në rritje, siç thonë, të njerëzve të prekur nga kjo pandemi në qytetin tonë, na nxisin përherë e më tepër që t’i bëjmë thirrje të afërmve, të dashurve, bashkëqytetarëve tanë që të jenë të kujdesshëm maksimalisht, sepse kushtet në të cilat gjendet vendi ynë janë të atilla që nuk e përballojnë dot një rëndesë kaq të madhe të shtimit të numrit të prekurve nga një virus si ky, që edhe pse nuk është vdekjeprurës dhe është rrethuar me shumë propaganda paniku, gjithësesi mbetet shqetësim për njerëzit!
Kjo është një thirrje nga zemra e një vëllaut tuaj dhe e një njeriu që ju do të mirën dhe që nuk ka asnjë interes në këtë mesele, veçse të thojë një fjalë të mirë!
Prandaj, ju lutem me zemër që maksimakisht të ruhemi! Disa dalje e lëvizje që jemi mësuar t’i bëjmë çdo ditë dhe na i ka qejfi t’i bëjmë, mua të parit; por që kemi mundësi t’i reduktojmë dhe të privohemi prej tyre, t’i reduktojmë dhe të privohemi prej tyre sot, që të mos vuajmë nesër!” -, tha ndër të tjera Myftiu.
Ai bëri lutje për mëshirë dhe mirëqenie, sikurse iu drejtua tregtarëve dhe atyre që kanë mundësi të ndajnë zekatin, të mos hezitojnë, sepse ndarja e hakut të Zotit për të varfrit dhe skamnorët, tërheq mëshirën dhe bekimet e Zotit për ne!